Pjesë e kësaj mbledhjeje ishin drejtuesit e pesë komuniteteve fetare në vend, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Hirësi Asti, Ndihmës i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. Angelo Massafra, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Në këtë takim ishte gjithashtu i ftuar edhe Mons. George Frendo, ish-kreu i KNFSH-së për vitin 2020, të cilit me rastin e daljes në pension dhe largimit të tij nga Shqipëria, Bordi i Presidencës i akordoi Çmimin e Mirënjohjes me motivacionin: “Për kontributin e lartë në forcimin e frymës së dialogut ndërfetar ndër shqiptarët gjatë shërbimit në Shqipëri dhe për rolin e rëndësishëm në promovimin e vlerave universale, bashkëjetesës, harmonisë dhe bashkëpunimit ndërfetar si Kryetar i Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë gjatë vitit 2020.”

Mbledhja vijoi më tej me rendin e ditës.

Të pranishmit gjatë kësaj mbledhjeje kanë diskutuar edhe për disa çështje të rëndësishme lidhur me angazhimet e KNFSH-së në vazhdimësi për vitin në të cilin sapo kemi hyrë.