Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava shtroi iftar për përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë.

Pjesë e iftarit ishin dy krerët e institucioneve, Kryetari i KMSH-së, H. Skender Bruçaj dhe Kryetari i BFIM, H. Sulejman Rexhepi dhe pjesëtar të stafit nga të dy vendet.

Myftiu Tërnava i falënderoi kryetarët e bashkësive fetare të Shqipërisë dhe Maqedonisë që i ishin përgjigjur ftesës dhe luti Zotin për mirëqenie të gjithëmbarshme të kombit shqiptar dhe për paqe në mbarë botën. Ai vlerësoi faktin që po bënin iftar bashkë, luti Zotin për pranim të ibadeteve dhe për afrim të njerëzve ndërmjet vete.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Skender Bruçaj falënderoi Myftiun Tërnava për iftarin duke theksuar se të gjithë jemi përgjegjës për anën shpirtërore për të gjithë shqiptarët kudo që gjenden dhe kjo na bën më përgjegjës që ne ta duam e respektojmë dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Ai po ashtu se ne na bashkon imani dhe vatani.

Ndërsa H. Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së së Maqedonisë tha se ky është muaji i dritës dhe perspektivës së zbritjes së Kuranit dhe falënderoi Myftiun Tërnava për këtë iniciativë dhe e përshëndeti nga shpirti dhe zemra për sofrën e përbashkët.

Në fund kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj dhuroi disa dhurata për Myftiun Tërnava, për Reisin e Maqedonisë Rexhepi si dhe një dhuratë edhe për sekretarin e BIK-ut Resul Rexhepi.