Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë mbushën sheshet dhe xhamitë kryesore të çdo qyteti tjetër të vendit tonë.

Ceremonia e Fitër Bajramit filloi që në orët e para të mëngjesit me leximin e disa ajeteve Kuranore, të cilat u përcollën për besimtarët e pranishëm nga imami i xhamisë “Et’hem Bej”, z. Elton Karaj.

Më tej ishte radha e fjalës përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli mesazhe të shumta paqeje, solidariteti, harmonie e reflektimi.

“Kemi përjetuar një muaj sakrifice dhe ngritjeje shpirtërore, e lusim Zotin të na e ketë pranuar këtë sakrificë, Ai është shpërblyesi më i mirë. Ky muaj na ka bashkuar në bamirësi e solidaritet, në paqe e dashuri me njëri-tjetrin. Ramazani na mësoi që të bëhemi shërbëtor të së mirës dhe së drejtës. Ta vijojmë jetën me vitytet që kemi fituar në këtë muaj të begatë! Duhet të jetë pikërisht virtyti themel i veprimtarisë sonë të përditshme.” – tha ai.

Më tej, Kryetari Spahiu, nuk la pa përmendur dhe bëri thirrje reflektimi për disa nga plagët më të rënda sociale nga të cilat po vuan shoqëria jonë sot.

“Motra dhe vëllezër, kujdesuni që kombi ynë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer. T’i rrisim fëmijët tanë këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte të larta. Të shtrijmë dorën e mëshirës dhe kujdesit ndaj prindërve, fqinjëve, e cilitdo që ka nevojë për ne. Zoti u bekoftë ju, familjet tuaja dhe kombin tonë!” – u shpreh Kryetari Spahiu.

Një pikë tjetër e këtij programi ishte edhe fjala përshëndetëse e Nënkryetarit të KMSH-së, z. Taulant Bica, i cili ndau me mijëra besimtarët e pranishëm mesazhe të shumta kushtuar muajit të bekuar të Ramazanit, përfundimin e të cilit e kremtojmë sot me Bajram.

“Për të përfituar sa më shumë nga thesari i Ramazanit, agjëruam për hatër të Zotit me besim të plotë dhe duke shpresuar për falje e mëshirë. U munduam që me përkushtimin tonë, të jemi më afër të Gjithëmëshirshmit dhe më afër njerëzve, sidomos atyre në nevojë. U munduam të përmirësojmë raportin tonë më Krijuesin dhe me krijesat e Tij. E frenuam veten duke mos rënë pre e veseve dhe ndjenjave të këqija si gënjeshtra, thashethemet, përgojimi, smira, urrejtja, e xhelozia. Prandaj, Bajrami, është gëzimi jonë i vërtetë. Falja, mëshira, gëzimi dhe lumturia qoftë mbi ju dhe mbi çdo familje Shqiptare në këtë ditë feste! Gëzuar!” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej u bë falja e namazit të Bajramit, ku mijëra besimtarët e mbledhur në shesh me këtë rast i priu Kryetari i Komunitetit, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hutben e Fitër Bajramit, e cila u mbajt si zakonisht nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.

Gjatë hutbes, Myftiu Luli, u lut për më shumë paqe, harmoni e solidaritet në mesin tonë.

“Sot besimtarët festojnë gëzimin e përmbylljes së një muaji sakrifice dhe mirësie, ditët dhe nëtët e të cilit u zbukuruan me agjërim, namaz e vepra të tjera. Lum ai që arriti të shtojë diçka në devotshmërinë e tij gjatë këtij muaji të begatë. Le të jetë ky bajram një mesazh i fortë jo vetëm për lidhjen që duhet të kemi me Zotin tonë por edhe për mbarë shoqërinë. Kjo të shërbejë si shembull i mirë për shoqërinë dhe një kurim i plagëve që ajo po merr çdo ditë nga ikja e rinisë dhe vetmia e moshës së tretë që është mosha më në nevojë. O Zot i Mëshirës dhe Faljes, forcoji zemrat tona në fe! Mbushi zemrat me besim! Udhëzona ne, familjet tona, shoqërinë tonë!”- theksoi Myftiu në fjalën e tij.

Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.