Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë dhe qindra mijëra të tjerë në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit.

Festimet e kësaj dite kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut, namaz i falur nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu.

Menjëherë pas namazit programi i Fitër Bajramit filloi me lexim Kur’ani nga hafizi Besmir Krruta.

Në fjalën e tij pëshëndetëse, Kryetarit të Komunitetit Mysliman z. Skënder Bruçaj përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kasaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë.

“Bajrami është kohë e takimeve vëllazërore, është momenti i shprehjes së dashurisë dhe respektit për familjet tona, për fqinjët tanë dhe për të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Fitër Bajrami është momenti kur ne falënderojmë Krijuesin e gjithësisë për begatitë dhe mirësitë që na ka dhënë. Bajrami është koha kur ne i japim kuptim të sotmes dhe ndërtojmë shpresën per të ardhmen e ndritur. Bajrami është festë për zemrën, festë per shpirtin, festë për të gjithë myslimanët anembanë botës. Paqja, siguria, begatia e Zotit qofshin mbi të gjithë ju, mbi familjet tuaja dhe mbi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Zoti e bekoftë vendin dhe popullin tonë.”- tha z. Bruçaj gjatë fjalës së tij.

Në ligjëratën e rastit, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Lauren Luli, u ndal në vlerat shpirtërore dhe ato sociale të muajit të Ramazanit si muaj i sakrificës, i bamirësisë dhe i solidaritetit me të tjerët.

“Pas një muaji të begatë të mbushur plot me mirësi të zbritura mbi të gjithë njerëzimin nga Allahu Xhelexhelaluhu, sot përjetojmë ditën e gëzimit, dhe të triumfit shpirtëror të Bajramit. Sot po kurorëzojmë muajin që simbolizon devotshmëri, përkushtimin, sakrificën, solidaritetin dhe dashurinë, dhe ajo që është më e rëndësishmja vëllazërinë ndërmjet njerëzve. Sepse është pikërisht ky muaj në të cilin besimtari gjeti mundësinë të ngrihet në viset më të larta të shpirtërores, ti drejtohet Allahut Xhelexhelaluhu me sinqeritetin dhe pastërtinë, e të rregullojë marrëdhënien e tij me veten me njerëzit e tij të afërt dhe me gjithë të tjerët” – tha ai.

Më tej u bë falja e namazit të bajramit nga Kryetari i Komunitetit, z. Skender Bruçaj, për të vazhduar më pas me hutben e Fiter Bajramit e cila u mbajt nga Myftiu i Tiranës z. Ylli Gurra. Gjatë saj ai u lut për më shumë paqe dhe harmoni mes njerëzve, harmoni të cilën e reflekton edhe kjo ditë Bajrami.

Ndërsa moderatori i programit, Drejtori i Kulturës në KMSH, z. Dorian Demetja, u shpreh se Bajrami është dita ku kujtojmë njëri-tjetrin, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.