Kolegji Universitar Bedër në bashkëpunim me Universitetin e Barit “Aldo Moro” Itali, organizuan Konferencën e 5-të Ndërkombëtare në Shkencat Humane me temë: “Ekstremizmi në shekullin e 21, Roli i Ligjit, Medias dhe Kulturës”.

Ashtu si çdo vit tjetër konferenca mblodhi së bashku akademikë, studiues, ekspertë e profesionistë të fushave të ndryshme për të ndarë eksperienca dhe përfundime kërkimore në aspekte të ndryshme që përfshin tema e këtij edicioni të konferencës.

Nënkryetari i KMSH-së, përshëndeti punimet e konferencës dhe theksoi përpjekjet e fesë për të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Feja synon disiplinimin individual shpirtëror dhe material në mënyre që të mos cenohet e drejta dhe liria e tjetrit. Feja në origjinën e saj është tejet e kujdesshme të mbyllë çdo shteg që cenon të drejtën dhe jetën e tjetrit.  Zbatimi i drejtë i ligjit, i heq një kartë të rëndësishme frymëzimit dogmatik ekstremist, ku padrejtësia ndaj një pakice, kthehet në burimin kryesor për të mobilizuar masat. Feja promovon dhe nxit fuqishëm drejtësinë te individi për marrëdhëniet me njëri tjetrit, aq sa është vendosur në të njëjtin piedestal e drejta e robit me atë të Zotit” tha ndër të tjera z. Aga.

Pas sesionit të hapjes ku ishin të pranishëm një sërë personalitetesh përfaqësuese jo vetëm të institucioneve bashkëpunuese në organizimin e konferencës por edhe të fushës akademike, fushës së medias e më gjerë, konferenca zhvilloi punimet e saj në disa sesione paralele.

Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht mbi rolin e ligjit, medias dhe kulturës në fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm. Këtë gjë e dëshmon edhe larmishmëria e punimeve, të tilla si: “Raportimi i tematikës fetare në median online”, “Liria fetare”, “Roli i dialogut ndërkulturor në shoqëri”, “Sundimi i ligjit në kundërshtim me ekstremizmin e dhunshëm”, “Parimi i drejtësisë për të parandaluar ekstremizmin”, “Pluralizmi fetar në burimin primar të Islamit” etj.