Departamenti i Shkencave Islame në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, zhvilluan takimin e VII, ku kanë diskutuar rreth veprës së dijetarit të shquar mysliman shqiptar H. Ibrahim Dalliu, “E lemja e të madhit Pejgamber dhe jeta e Tij (a.s.)” me të ftuar Dr. Brikena Smajli.

Aktiviteti u çel me një dokumentar të shkurtër kushtuar jetës dhe veprimtarisë se H. Ibrahim Dalliut, prodhim i KMSH-së.

Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame bëri gjithashtu një prezantim të shkurtër rreth jetës së Hafiz Dalliut, botimit të kësaj vepre të tij nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, gjetjes së disa broshurave të tjera të pabotuara më parë, si dhe nevojën për promovimin e tyre për t’ia përcjellë brezave të rinj.

Më pas, studenti Haki Sahitaj, kryetar i Klubit “Mesazhi i Jetës” i bëri një prezantim punës dhe aktivitetit të pasur akademik dhe letrar studiueses dhe poetes Dr. Brikena Smajli, e cila në fjalën e saj gjatë këtij bashkëbisedimi dhe seminari me studentët analizoi në vijë të përgjithshme veprën e H. Dalliut në aspektin gjuhësor, letrar dhe artistik, si dhe foli më gjerë rreth veprimtarisë dhe kontributit të tij në ruajtjen dhe origjinalitetin gjuhësor të shqipes në veprat që ka lënë pas.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Prof. Asoc. Rahim Ombashi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, si dhe studentë të Departamentit të Shkencave Islame.

Prof. Ombashi vlerësoi figurat e shquara myslimane shqiptare, të cilët nëpërmjet botimeve dinjitoze të KMSH-së dhe promovimit, që po i bën Departamenti i Shkencave Islame po nxisin studentët t’i afrohen më shumë kontributit të vyer që na kanë lënë rilindasit e fundit të shekullit të kaluar.

Gjatë këtij takim u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm, ku si lektorët, ashtu edhe studentët shprehën eksperiencat dhe mbresat e tyre gjatë leximit të kësaj vepre të madhe të Hafiz Dalliut kushtuar profetit të fundit Hz. Muhammedit (a.s.).

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë