Departamenti i Shkencave Islame, Bedër gjatë periudhës 23-30 korrik 2019 ka zhvilluar një udhëtim studimor në kuadrin e një shkolle vere në Vjenë me studentë të programeve Bachelor dhe Master të këtij departamenti.

Pjesë e axhendës së këtij programi kanë qenë edhe disa vizita zyrtare në institucione të rëndësishme të Austrisë, si dhe vizita në Universitetin e Vjenës, Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Universitetit, muze, etj.

Një nga takimet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve, ishte dhe vizita në Ministrinë Federale për Punët e Jashtme dhe Integrimin Europian, ku delegacioni nga KU Bedër është pritur nga drejtues dhe stafi i Ministrisë si Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Kulturore Ambasador Dr. Marcus Bergmann, Mag. Maximilian Hammerle, etj.

Ata kanë shpjeguar punën që bën ky departament lidhur me aktivitetet e ndryshme ndërkulturore, çështje të lirisë së besimit në Austri, edukimin fetar dhe Islam, etj.
Ndërkohë drejtuesit e Universitetit Bedër të pranishëm në këtë takim kanë folur rreth kontributit akademik të universitetit në përgjithësi, si dhe në fushën e Shkencave Islame në veçanti.

Ndërsa studentët e pranishëm në këtë takim kanë folur rreth eksperiencës dhe aktiviteteve të Departamentit të Shkencave Islame në fushën e pedagogjisë islame dhe dialogut ndërfetar.

Delegacioni i Shkencave Islame, Bedër ka vizituar gjithashtu Zyrat e OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara) në Qendrën Ndërkombëtare të Vjenës (Vienna International Centre), ku janë njohur nga afër me punën dhe funksionet e kësaj qendre.

Gjatë këtyre ditëve ata kanë vizituar Qendrën Islame të Vjenës dhe xhaminë e saj, si dhe kanë zhvilluar një vizitë në Selinë e Bashkësisë Islame të Austrisë, ku janë pritur nga kreu i këtij institucioni z. Umit Vural dhe stafi i tij.

Presidenti i Fondacionit “H. Ali Korça” z. Skender Bruçaj, pjesë e takimeve zyrtare të delegacionit ka folur për modelin e Universitetit Bedër në Shqipëri, si dhe atë të Austrisë për sa i përket kontributit në jetën akademike teologjike. Nisur nga këto eksperienca ata kanë folur dhe për bashkëpunime të mundshme midis institucioneve që përfaqësojnë.

Delegacioni i Departamentit të Shkencave Islame, Bedër gjatë qëndrimit në Vjenë ka zhvilluar gjithashtu dhe një vizitë në Qendrën Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar dhe Ndërkulturor KAICIID, ku janë pritur nga drejtues të këtij institucioni.

Gjatë takimit drejtuesit e KU Bedër e informuan znj. Andrea Pfanzelter, drejtuese e KAICIID për kontributin e universitetit në përgjithësi dhe të Departamentit të Shkencave Islame në veçanti në promovimin e dialogut ndërfetar nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme në fushën akademike.

Drejtuesit e këtij institucioni kanë folur dhe shpjeguar rreth punës dhe aktiviteteve ndërkombëtare të KAICIID, si dhe kanë shprehur dëshirën për bashkëpunim midis institucioneve në fushën e veprimtarive të përbashkëta, si intershipe, trajnime, konferenca, etj.

Në përmbyllje të vizitave dhe takimeve, të zhvilluara gjatë këtij udhëtimi studimor organizuar nga Departamenti i Shkencave Islame Bedër, për gjatë një jave në Vjenë, për studentët e programeve Bachelor dhe Master të këtij departamenti, pjesëmarrësit në këtë program kanë zhvilluar dhe një vizitë në Komunitetin Shqiptar të Bashkësisë Islame të Austrisë, ku janë pritur nga nënkryetari i këtij komuniteti Usam ef. Alimi dhe kryeimami Ylli ef. Buraniqi, të cilët e kanë njohur delegacionin nga Bedër për punën dhe aktivitetet e komunitetit në shërbim të diasporës shqiptare në Austri, xhamitë, kurset dhe qendrat kulturore islame atje dhe me gjerë.