FTESË E HAPUR

I/E nderuar,

Ramazani është një festë e madhe për të gjithë myslimanët në mbarë botën. Ai është muaj i shenjtë, muaji në të cilin filloi zbritja e Kuranit Famëlartë, muaji i pastërtisë shpirtërore, tolerancës, durimit, solidaritetit, bujarisë, faljes dhe mëshirës hyjnore.

Me këtë rast, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizon aktivitete të ndryshme, në mënyrë që atmosfera e Ramazanit të ndihet në të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Dhuro një Iftar”

Projekti “Dhuro një Iftar” tashmë është kthyer në traditë, pasi Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e aplikon prej disa vitesh dhe është bërë urë lidhëse midis dorës dhënëse dhe asaj marrëse.

Me këtë nismë ne synojmë të organizojmë tryeza iftari me të gjitha shtresat e shoqërisë.
Vitet e kaluara në 30 ditët e Ramazanit ka pasur iftare me intelektualë, akademikë, studentë, kuadro fetar, njerëz në nevojë, frekuentues të xhamive etj.

“Shporta e Ramazanit”

Me këtë nisëm do të trokasim në dyert e atyre që më së shumti presin dikë t’i gëzojë qoftë edhe për një mbrëmje, me anë të pakove ushqimore që do të shpërndahen për tu ardhur në ndihmë familjeve në të gjithë Shqipërinë.

Vitin e kaluar, në bashkëpunim me donatorë, biznese dhe ambasada të huaja, janë shtruar iftare të përbashkëta, si dhe janë shpërndarë mbi 10.000 pako ushqimore në të gjithë vendin. Ne jemi të angazhuar që këtë ndihmesë tua sigurojmë vit pas viti këtyre familjeve.

Programacioni:

“Koha për Iftar”, ezani i Iftarit dhe Syfyrit, spoti zyrtar i urimit do të vijojnë sërish transmetimin në kanalet e komunikimit zyrtare të Komunitetit Mysliman dhe në mediet e tjera të komunikimit masiv.

“Zekati”

Adhurimet janë veprat më të pëlqyera nga Zoti. Adhurimet janë vepra të cilat kryhen vetem për të zbatuar urdhërin hyjnorë dhe për të fituar kënaqësinë e Krijuesit Bujar. Feja Islame përbëhet nga 5 adhurime kryesore.

Zekati është adhurim po aq i rëndësishëm sa edhe të tjerët dhe është bërë obligim për besimtarët në vitin e dytë të hixhretit. Është adhurim i cili bëhët me pasuri dhe jo me trup. Ashtu siç është namazi shtylla kryesore e jetës fetare individuale, po ashtu zekati është shtylla kryesore e jetës sociale dhe faktori kryesorë që mban të gjallë një shoqëri të shëndoshë. Ky adhurim nuk ndikon vetëm në ekonominë e një shoqërie, por ndikon tek të gjithë faktorët social si siguria, mirëqënia, barazia, solidariteti, bujaria etj.

Allahu i Madhëruar e bëri zakatin, themel dhe shtyllë të fesë, tregoi se si me zekatë pastrohet dhe rritet kapitali. Ai në Kuranin Famëlartë, thotë: “Falni rregullisht namazin, jepni zekatin dhe respektoni të dërguarin në mënyrë që të mëshiroheni.”

Ndërsa profeti Muhamed a.s ka thënë: “Bujari është afër Zotit, njerëzve, Xhenetit dhe larg Xhehenemit. Ndërsa kopraci është larg Zotit, njerëzve dhe larg Xhenetit”; “Tre janë shkatërrimet më të rrezikshme: Kopracia , pasimi i epsheve dhe paragjykimi”.

Pra, është dallim i madh mes atij i cili jep dhe sakrifikon veten dhe pasurinë e tij për të arritur Xhennetin dhe atij që grumbullon pasuri dhe bën kopraci.

I/E Nderuar,
Koha më e preferuar e kryerjes së këtij adhurimi të rëndësishëm, pra, dhënies së Zekatit, është muaji i Ramazanit sepse në këtë muaj çdo vepër e mirë shpërblehet shumëfish nga Allahu i Madhëruar.

Duke ju uruar një muaj sa më të begatë për ju, për familjen tuaj dhe një vit të sukseshëm në punën apo biznesin tuaj, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju fton të bëheni pjesë e nismave të ndërmara nga ana jonë dhe gjithashtu ju fton që dhënien e Zekatit tuaj ta bëni në institucionin zyrtarë të Myslimanëve.

Ju faleminderit!