Myftinia Peqin, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, zhvilluan në qendrën kulturore të Peqinit, ceremoninë e dhënies së titullit të lartë vendor “Qytetar Nderi” të Peqinit pas vdekjes, gjashtë klerikëve të këtij qyteti, me motivacionin: “Për kontributin e shquar në mbrojtje të së drejtës së Besimit Islam”.
Personalitetet fetare të vlerësuara në këtë ceremoni ishin: Shyqyri Efendi Myftiu, Sheh Ahmet Gjinishi, Hafiz Qerim Beheluli, Hoxhë Osman Haskasa, Ahmet Mezini dhe Haxhi Hamit Hallulli.
Kjo ceremoni dekorimi mblodhi së bashku Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetarin e Bashkisë Peqin, z. Bukurosh Maçi, Myftiun e Peqinit, z. Armand Islami, Deputetin e zonës, z. Sajmir Hasalla, myftinjtë e Elbasanit, Lushnjës, Librazhdit, Beratit, të afërm dhe familjarë të personaliteteve të dekoruar si dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh, qytetarësh dhe intelektualësh të fushave të ndryshme të Peqinit.
Ne fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, pasi falenderoi Bashkinë dhe Këshillin e Bashkisë Peqin për iniciativën e vlerësimit të këtyre personaliteteve të shquara Islame, bëri një rezyme të shkurtër të kontributit të tyre të vyer në historinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Fjalën e tij ai e mbylli me një lutje për jetën dhe veprën e këtyre personaliteteve.
“Miq të dashur, unë ceka vetëm pak nga jeta dhe vepra e jashtëzakonshme e këtyre njerëzve të ndritur që i kanë dhënë Islamit dhe kombit shqiptar më të mirën e tyre. I lutem Zotit që bota e përtejme, ku ata ndodhen, të jetë shpërblim për sakrificën dhe përkushtimin që kanë treguar sa ishin në këtë botë.” – përfundoi kryetari Spahiu.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë Peqin, shpehu vlerësim për gjashtë figurat e lartëpërmendura të klerit Islam dhe vuri theksin në angazhimin e institucionit që ai drejton në përpjekjen e vazhdueshme për nxjerrjen në pah të vlerave dhe kontributit shembullor të personaliteteve të Peqinit në jetën shoqërore të përbashkët.
Myftiu i Peqinit, z. Armand Islami, falenderoi të pranishmit për pjesëmarjen në këtë aktivitet përkujtimor dhe shprehu mirënjohjen e tij ndaj Këshillit Bashkiak të Peqinit për këtë iniciativë kuptimplotë në nderim të klerikëve që sakrifikuan shumë nga vetja për t’i dhënë Islamit dhe kombit shqiptar zhvillimin e nevojshëm në kohën në të cilën kanë jetuar.
Në këtë ceremoni përshëndetën gjithashtu edhe deputeti Hasalla, Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Zvetllana Sallufi, gjithashtu, u mbajtën dy kumtesa dhe u transmetua një minidokumentar referuar jetës dhe veprës së gjashtë klerikëve që u dekoruan.
Certifikatat e dekorimit të klerikëve ju shpërndanë familjarëve të pranishëm gjatë aktivitetit nga personalitetet që përshëndetën të pranishmit.
Në kuadër të kësaj ceremonie, Myftinia Peqin, shtroi një iftar për besimtarë, përsonalitete dhe përfaqësues institucionesh publike e private të këtij qyteti.