Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në zyrën e tij në një takim zyrtar, Shkëlqesinë e Tij, Amir al-Anezi, Atashe Fetar i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Bosnje-Hercegovinë.

Spahiu e njohu z. Anezi me aktualitetin e institucionit të KMSH-së dhe një historik të shkurtër rreth tij.

Ndërsa z. Anezi, i cili vizitoi KMSH-në me porosi të posaçme të Shkëlqesisë së Tij, Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al-Sheikh, ministër për Çështjet Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, përcolli përshëndetjet më të përzemërta për kryetarin Spahiu dhe stafin e tij, duke veçuar Komunitetin Mysliman të Shqipërisë si një ndër bashkësitë fetare më tradicionale dhe me peshë në rajonin e Ballkanit.

Më tej, dy palët u fokusuan në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet KMSH-së dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare në Arabinë Saudite, si dhe në zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit të firmosur ndërmjet dy krerëve në vjeshtën e vitit 2021, duke programuar bashkëpunime të reja në të ardhmen e afërt.