ZK1A0439

Ambasadori i ri i Turqisë në Tiranë, z. Hidajet Bajraktar, ka vizituar sot Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për t’u njohur më nga afër me këtë institucion.

 Z. Bajraktar është pritur nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, nënkryetarët Bujar Spahiu e Gazmend Aga dhe  Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë Astrit Zharri.

Kryetari Muça, i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij të re, dhe e njohu  atë me strukturat dhe funksionimin institucionin e KMSH-së në qendër dhe në rrethe.

Nga ana e tij ambasadori Bajraktar shprehu mbështetjen e plotë nga qeveria turke dhe Komuniteti Mysliman i Turqisë. “Ne ju kemi mbështetur gjithmonë dhe do vazhdojmë t’ju mbështesim me kënaqësinë më të madhe”, u shpreh z. Bajraktar.

Ai gjithashtu u shpreh se vetë kryeministri i Turqisë Erdogan ka shprehur interesim të veçantë dhe mbështetje të pakushtëzuar lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.  “Ju bëj me dije se vetë kryeministri ynë z. Rexhep Tajip Erdogan, është shumë i interesuar lidhur me çështjen e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës. Për këtë ai ka caktuar edhe këshilltarin e tij më të afërt që t’u vijë në mbështetje të plotë”, u shpreh më tej ambasadori Bajraktari.

Ambasadori Bajraktar shoqërohej nga Këshilltari për Çështjet fetare në ambasadën turke, z. Shaban Ishlek.

12 dhjetor 2013

ZK1A0420 ZK1A0425 ZK1A0426  ZK1A0466 ZK1A0472