Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim mirëseardhjeje ambasadorin e ri të Spanjës në vendin tonë, z. Marcos Alonso.

Kryetari Spahiu e njohu ambasadorin me institucionin që ai drejton, rolin e rëndësishëm që luan KMSH në jetën e përditshme dhe harmoninë ndërfetare të vendit.

“Ne si institucion jemi të sigurtë se e ardhmja e vendit tonë të dashur është në Bashkimin Evropian. Detyra jonë kryesore është përçimi i mesazhit të drejtë dhe të pastër tek besimtarët, ashtu siç na mëson Kurani dhe tradita Profetike, krahas kësaj, si përfaqësues të komunitetit më të madh fetar në vend, do të kontribuojmë vazhdimisht për të ruajtur e promovuar harmoninë fetare, duke e ditur rëndësinë e saj në procesin e integrimit.” – tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij.

Pasi e falënderoi Kryetarin për mikpritjen, ambasadori Alonso, shprehu vullnetin e tij për të intensifikuar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Unë jam besimplotë se ka akoma hapësira për t’i intensifikuar marrëdhëniet ndërmjet nesh pasi jam i bindur që potenciali ekziston dhe roli juaj si komuniteti fetar më i madh në vend është tepër i rëndësishëm në këtë drejtim.” – u shpreh ai.

Gjatë këtij takimi, kryetari Spahiu u shoqërua nga Kancelari i KMSH-së, z. Ylli Cikalleshi, Drejtori i Kabinetit, z. Ejup Lila si dhe Myftiu i Gramshit, z. Ermir Gjana.