Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Alastair King-Smith.
Ambasadori Smith e uroi kryetarin Spahiu për Fiter Bajramin dhe e përgëzoi atë, posaçërisht, për fjalimin e mbajtur në ceremoninë e faljes së Fiter Bajramit në Sheshin “Skënderbej” më 21 prill 2023.
Ambasadori veçoi mesazhet inkurajuese të Kryetarit të KMSH në fjalim për investimin në përmirësimin e kushteve social-ekonomike në Shqipëri dhe që të rinjtë shqiptar ta shohin Shqipërinë si vendin e mundësive për një të ardhme më të mirë.
Gjatë bisedës, z. Smith, vlerësoi gjithashtu bashkëjetesën fetare në vendin tonë dhe kontributin e çmuar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të liderëve fetare për stabilitetin në vend dhe rajon.
Kryetari Spahiu falenderoi ambasadorin britanik për vizitën dhe fjalët e mira sa i përket mesazheve të tij në Fiter Bajram dhe shtoi se Komuniteti Mysliman i Shqipëris do të vijojë i palëkundur misionin e tij fisnik në shërbim të përçimit të mesazhit paqësor të Islamit dhe në shërbim të kombit shqiptar.
Z. Spahiu e ftoi ambasadorin në pritjen që do të organizohet së afërmi me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga ambasadori.