Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me mbështetje të Qendrës së Bamirësisë “Mbreti Selman” dhe nën kujdesin e Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, ka bërë të mundur akordimin e 154 bursave të studimit për nxënës të medresesë së Tiranës dhe Elbasanit.

Delegacioni nga Arabia Saudite, me në krye Ambasadorin, z. Fajsal Gazi Hifdhi dhe përfaqësuesin e qendrës humanitare, z. Abdulaziz Othman, vizituan Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku u pritën nga kreu i KMSh-së, H. Bujar Spahiu, dhe ku u zhvillua mbledhja inauguruese e këtij projekti.

Më pas, përfaqësues të qendrës bamirëse, të shoqëruar nga përfaqësues të KMSh-së, vizituan medresenë e Elbasanit, ku u pritën nga drejtori i saj, z. Ardit Dragoti.

Gjatë kësaj vizite, ata u njohën nga afër me ambientet e medresesë, nxënësit dhe procesin mësimor që zhvillohet rregullisht në këtë institucion.

Pjesë e axhendës ishte edhe vizita e sotme e ambienteve të medresesë së Tiranës, ku u zhvillua edhe ceremonia inauguruese e këtij projekti, me pjesëmarrjen e H. Bujar Spahiu, Kryetar i KMSh-së, z. Abdullah bin Sa’d el-Shehrij, zv. Ambasador i Mbretërisë Saudite në Tiranë dhe z. Abdulaziz Othman, përfaqësues i qendrës humanitare “Mbreti Selman”.

Në fjalën e tij, Kryetari i KMSh-së, z. Spahiu, i falenderoi për ndihmën e dhënë dhe për marrëdhënien e mirë institucionale që deri më tani është konkretizuar në disa marrëveshje bashkëpunimi.

Ndërsa zv. Ambasadori, z. Abdullah bin Sa’d el-Shehrij, u shpreh se ky projekt e ka pikënisjen në marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy popujve tanë dhe në udhëzimet e drejtpërdrejta të Mbretit Selman bin Abdulaziz.

Fondi i bursave është në vlerën e rreth $300.000 dhe do tu akordohet 154 nxënësve në formën e bursave për vitin shkollor 2021-2022.

Shtresa e përfituesve janë nxënës jetimë dhe ata me gjendje të vështirë ekonomike e sociale.