qatrom korce (2)

Në Qatrom të Korçës është inauguruar më 4 qershor 2013, xhamia së bashku me qendrën e re shëndetësore të fshatit, investim i një grupi donatorësh nga Kuvajti i realizuar nën kujdesin e fondacionit “Mirësia” – Zyra e Shqipërisë .

Pjesë e kësaj ceremonie të prerjes së shiritit ishin kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, H. Ylli Gurra, kancelari Ali Zaimi, nënkryetari Gazmend Aga, myftiu i Zonës Korçë, H. Qazim Muçi, përfaqësues të institucioneve të rrethit, të pushtetit lokal, përfaqësues të shoqatave bamirëse, besimtarë e banorë të zonës etj.

Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, z. Ylli Gurra në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: “Falënderojmë donatorët nga Kuvajti, pushtetin lokal, shoqatën “Mirësia” dhe çdo person që dha kontribut në ngritjen e kësaj xhamie, duke besuar se kjo xhami ashtu si motrat e saj do të shërbejë si vatër adhurimi, arsimi e edukimi, ku besimtarët do të afrohen me Zotin dhe do të ushqejnë mendjet, zemrat dhe shpirtrat e tyre.” Myftiu Gurra më tej shtoi: “Sot gëzimi është i dyfishtë pasi fshatit i shtohet një qendër shëndetësore, çfarë dëshmon qartë për kujdesin e njëjtë që Islami tregon për trupin dhe shpirtin.”

Ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, z. Najjeb Abdurr Rrahman Al Bader, i pranishëm në këtë ceremoni, përgëzoi dhe vlerësoi lart personat që morën përsipër dhe realizuan këtë projekt të nevojshëm për banorët e zonës, duke bashkuar këto dy vepra që, siç u shpreh ai, janë shprehje e dashurisë dhe respektit të popullit kuvajtian ndaj popullit vëlla shqiptar. Në vazhdim të fjalës së tij para të pranishmëve, z. Al Bader premtoi se në vitet që do të vijnë shteti dhe populli kuvajtian do të jenë edhe më të pranishëm në Shqipëri me investime në fusha të ndryshme në mbështetje të projekteve të qeverisjes qendrore e lokale dhe në interes të vetë qytetarëve.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Myftiu i Zonës Korçë, H. Qazim Muçi, Prefekti Andrea Mano, kryetari i Komunës Drenovë, Flamur Sala, përfaqësuesi i delegacionit të ardhur nga Kuvajti, si dhe drejtori i fondacionit “Mirësia”, Korab Kaja.

Pas inaugurimit të xhamisë, të pranishmit vizituan ambientet e brendshme të qendrës së re, që do t’i shërbejë banorëve të fshatit për çdo nevojë shëndetësore.

qatrom korce (8)qatrom korce (7)

 

 

qatrom korce (1)

qatrom korce (10)