seminar zvicer (1)

seminar zvicer (2)

 “Toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar në Islam dhe historiku i saj në trojet shqiptare”

Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i kryesuar nga kancelari z. Ali Zaimi dhe i përbërë nga drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja dhe drejtori i Financës z. Ylli Cikalleshi, zhvilluan një vizitë zyrtare në Zvicër, ku krahas disa aktiviteteve, me dt. 10 maj 2013 ishin të ftuar nga Shoqata e Studentëve në një seminar dhe bashkëbisedim me studentët shqiptarë të trojeve tona me temë:“Toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar në Islam dhe historiku i saj në trojet shqiptare”. Aktiviteti u mbajt në ambientet e Universitetit të Zyrihut, në një nga auditorët e tij.

Në fillim drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar z. Genti Kruja, bëri një panoramë të përgjithshme nga historia shqiptare, të cilat dëshmojnë sesi toleranca, respekti dhe mirëkuptimi ndërfetar mbizotëronin divergjencat fetare gjatë historisë. Ndër të tjera z. Kruja theksoi se ekzistenca për shekuj me radhë e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare mes shqiptarëve, ka mbërritur tek ne sot nëpër shumë peripeci, si një vlerë e madhe kombëtare e një populli të vogël. Por këtë vlerë të rrallë, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë me të gjitha mënyrat, nëpërmjet arsimit, medias, etj., kudo qoftë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Në referatin e tij kancelari i KMSH-së z. Ali Zaimi diskutoi rreth tolerancës ndërfetare në Islam, duke dhënë shembuj të shumtë nga Kur’ani dhe Tradita Profetike. Ai theksoi gjithashtu se, marrëdhëniet midis Islamit dhe Krishtërimit fillojnë që në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), që me emigrimin e myslimanëve në Abisini tek mbreti mikpritës kristian Nexhashi, e vazhdojnë me Kartën e Medinës, ku pastaj e pasojnë edhe historia e kalifëve dhe drejtuesve myslimanë nëpër botë, duke u përmendur kështu edhe shumë shembuj nga historia.

Pas referimet studentët diskutuan dhe bënë pyetje të shumta rreth temës, duke ndarë opinione dhe mendime interesante.