programi profetit 2013 (6)

Në një atmosferë festive është zhvilluar paraditen e sotme (20 prill) programi “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit” në Pallatin e Kongreseve.

Programi u hap me kryefjalën e kombit – himnin kombëtar, kënduar nga kori i i nxënësve të medreseve. I pari që u ngjit në skenë ishte hafizi Omer Çallësh, që solli një pjesë të shkurtër nga Fjala e Zotit – Kur’ani Fisnik. Më pas vijuan ilahitë e përgatitura nga kori i medreseve nën udhëheqjen artistike të mjeshtrit Kujtim Alia.

programi profetit 2013 (5)Kryetari i Komunitetit Mysliman H. Selim Muça, në fjalën e tij, pasi falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit dhe përgëzoi organizatorët për përpjekjet e tyre, theksoi se ky organizim është një përpjekje serioze për të pasqyruar dhe bërë të prekshme për njerëzit madhështinë e personalitetit të Profetit Muhamed a.s.

“Sot po festojmë lindjen e bekuar të Profetit të fundit, i cili është dërguar nga Allahu (xh.sh.) si mëshirë për gjithë botët. Qëllimi i ardhjes së tij ishte që edhe një herë njerëzit ta njohin Krijuesin e tyre dhe të adhurojnë vetëm Atë. Ai me jetesën e tij shembullore në familje dhe shoqëri, na bëri të ditur qëllimin e jetës dhe na mësoi përpjekjet që duhet të tregojmë në fitimin e kënaqësisë së Zotit. Përkujtimi i ditës së sotme, na e forcon akoma më shumë lidhjen me Profetin tonë dhe përjetimin e ndjenjave të dashurisë e respektit për të si rob dhe i dërguar i Zotit.”, u shpreh në fjalën e tij kreu i KMSh-së, duke uruar njëkohësisht për fillimin e punimeve të xhamisë së re të kryeqytetit pikërisht në një datë si kjo.

Kryetari Muça e shfrytëzoi këtë rast për të nderuar me çmim z. Genti Sulejmani nga Berati, për paraqitjen e tij në një konkurs të organizuar nga medresetë e vendit, ku mbi 5.000 pjesëmarrës u testuan për njohuritë e tyre në lidhje me biografinë e Profetit Muhamed a.s.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj. Në urimin e tij për besimtarët, z. Brahimaj teksa vlerësoi lart këtë organizim serioz të Komunitetit Mysliman ndaj figurës morale e profetike të Muhamedit a.s., u shpreh me urimet më të përzemërta për nisjen e ndërtimit të xhamisë së re Tiranës, e cila, sikurse u shpreh ai, do të na bëjë të krenohemi me objektet tona të kultit.

programi profetit 2013 (7)Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha në fjalën e tij u shpreh: “Kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju përcjell përshëndetjet e ngrohta në këtë ditë të madhnueshme, ditë kur lindi Profeti Muhamed, që me mësimet e Zotit, ndriçoi mendjen, rrugën e njeriut dhe njerëzimit. Muhamedi ndikoi më shumë se kushdo në moralin njerëzor. Mësimet e tij janë dhe mbeten frymëzuese sepse ai ishte udhërrëfyesi i madh i rrugës së mirëkuptimit, tolerancës, bashkëjetesës, paqes dhe të ardhmes”, tha z. Berisha.

Kryeministri Berisha tha më tej se kjo ditë mbart me vete një gëzim të dyfishtë, sepse kësaj date i shtohet ngjarja që çel rrugën për fillimin e punimeve të xhamisë së re të Tiranës. Ai falënderoi përzemërsisht krerët e komuniteteve fetare për punën e madhe që kryejnë në edukimin e individit dhe shoqërisë me mësime të cilat si bosht kryesor kanë tolerancën dhe respektin për njëri-tjetrin. Pasi uroi pjesëmarrësit në sallë dhe gjithë myslimanët për fillimin e xhamisë, z. Berisha adresoi një falënderim të veçantë për anëtarët e familjes Kruja, për truallin e dhuruar për xhaminë, duke u shprehur se “me këtë akt ata nderuan veten, traditën dhe bashkëqytetarët e tyre”.

Nxënësi i Medresesë së Beratit, Adi Totaj, i cili para disa muaj mori çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të pikturës për vlerat e trashëgimisë kulturore organizuar nga UNESCO në Slloveni, realizoi gjatë zhvillimit të programit një vizatim të xhamisë së re dhe ia dhuroi në shenjë mirënjohjeje Kryeministrit Berisha.

Emra të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar si: Kastriot Tusha, Sidrit Bejleri, Violeta Zefi, Mukades Çanga, Rosela Gjylbegu, Lind Islami, Bujar Asqeriu, Rozina Kostani, Dritan Boriçi, prezantuesit Elta Liksenaj dhe Ramadan Çipuri, janë bërë së bashku në këtë veprimtari të përvitshme nën regjinë e z. Agron Hoxha. Përmes zërave të mrekullueshëm dhe interpretimit plot emocion ata kanë bërë për vete publikun, i cili nga ana e tij ua ka shpërblyer me duartrokitje të ngrohta.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me fondacionin kulturor dhe arsimor “SEMA”, ka përmbyllur me sukses edhe për këtë vit programin përkujtues ndaj Profetit Muhamed a.s ku morën pjesë personalitete politike, fetare e shoqërore, ambasadorë, miq nga Turqia, përfaqësues nga shoqata humanitare e kulturore, besimtarë të moshuar e të rinj, qytetarë të Tiranës etj.

Mesazhi kryesor që u dha përmes këtij programi ishte që veprimtaria e përvoja e Profetit a.s. të na shërbejë si model e si burim frymëzimi për të kryer detyrat tona si besimtarë e si qytetarë në të mirë të Shqipërisë e të kombit shqiptar.

programi profetit 2013 (2)programi profetit 2013 (1)  programi profetit 2013 (3)    programi profetit 2013 (8)  agron hoxha

programi profetit 2013 (4)programi profetit 2013 (9)