Para pesë vitesh, pas disa dekadave shkëputjeje, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rithemeloi revistën “Zani i Naltë”, një revistë shkencore, periodike, tremujore, duke nxjerrë kështu edhe numrin e parë të saj në tetor 2012.

Revista “Zani i Naltë” u rikthye me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, në konsolidimin e të cilit, ka kontribuuar shumë me shkrimet dhe artikujt e saj patriotikë për gjatë viteve të ‘20-30 të shekullit XX.

“Zani i Naltë” ishte revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923, menjëherë pas ngritjes së institucionit të KMSH-së, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Periudha e parë e botimit të saj zgjati nga tetori i vitit 1923, deri në maj 1939, duke u bërë kështu një prej revistave më jetëgjatë në shqip (16 vite me 153 numra gjithsej), si dhe revista e parë e këtij lloji për nga fushat që mbulonte.

Ndërsa periudha e dytë e revistës shkencore “Zani i Naltë”, që nga rithemelimi e deri më tani (2012-2017), përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë me trajtime akademike në fushat e shkencave të ndryshme islame, por edhe në fushat e tjera sociale, duke u bërë kështu një trashëguese e denjë e emrit të vet, ashtu siç ishte që në themelimin e vet, më 1923.

Kështu tashmë prej pesë vitesh, revista shkencore “Zani i Naltë” është tribuna, ku shpalosen njohuritë e personaliteteve akademike nga Shqipëria dhe trojet kombëtare, Kosovë, Maqedoni dhe viset e tjera shqiptare, si dhe nga bota Islame, Europa, SHBA, etj., në fushën e shkencave islame (legjislacioni islam, fikh, tefsir, hadith, etj.), si dhe në shkencat shoqërore (sociologji, filozofi, psikologji, histori, gjuhë-letërsi etj.), e pajisur gjithashtu dhe me ISSN.

Krahas këtyre, në çdo numër revista ka botuar të paktën nga një personalitet shqiptar të kulturës islame, i cili ka lënë gjurmë në historinë e vendit tonë për kontributet e vyera në shumë fusha të jetës, në shërbim të Islamit dhe Atdheut, si dhe gjithashtu ka sjellë para lexuesit shqiptar ribotimin e një artikulli të zgjedhur nga numrat e vjetër të revistës “Zani i Naltë” (1923-1939) dhe revistës “Kultura Islame” (1939-1945) në rubrikën “Retrospektivë”.

Në këto pesë vite pas rithemelimit më 2012, si një organ i përtremuajshëm kanë dalë gjithsej 20 numra me rreth 2.500 faqe artikuj shkencorë, të ndara në 31 rubrika të ndryshme, si dhe kanë shkruar dhe janë botuar 264 artikuj nga 132 autorë të ndryshëm, si akademikë, profesorë e personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare.

Rubrikat më me shumë artikuj janë, Shkenca Islame me 41 artikuj, Histori me 41 artikuj, Studime me 39 artikuj, Personalitete me 24 artikuj, Retrospektivë me 21 artikuj, Gjuhë-Letërsi me 19 artikuj, Shkenca Komunikimi me 15 artikuj, Sociologji me 13 artikuj, si dhe rubrika të tjera si, Editoriale, Filozofi, Gjeografi, Jurisprudencë Islame, Mjekësi, Pedagogji, Përkthime, Psikologji, Shkenca dhe Besimi, Shkenca Ekzakte, Shkenca Politike, etj.

Bordi editorial i kësaj reviste shkencore përbëhet gjithashtu nga personalitete të njohura të botës akademike, edukative dhe kulturore nga të gjitha trevat shqiptare, por jo vetëm, duke e bërë këtë revistë si një “zâ” (zë) i lartë i studimeve dhe shkencave islame të gërshetuara dhe renditura së bashku me ato shoqërore.

Jetë të gjatë e rrugëtim të hajrit “Zani i Naltë”.

Tiranë, tetor 2017

Nga Genti Kruja

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë