71
Myftiu i Zonës Shkodër, imam Muhamed Sytari, njoftoi sot përmes një konference për shtyp, se është arritur të sigurohet xhirimi i plotë audio-viziv i ceremonisë së zhvilluar më 16 nëntor 1990 në Shkodër, ngjarje që shënoi rikthimin e lirisë së besimit në Shqipëri
.

Myftiu Sytari deklaroi se gjetja e këtij xhirimi, është një gjurmë drite më shumë për Shqipërinë, që në vetvete konfirmon edhe një herë vullnetin e madh të qytetarëve të saj për të dëshmuar besimin dhe prekjen e gjallë të fesë në qenien e tyre.

“Kjo dhuratë është një dëshmi e gjallë e forcës së besimit në zemrat e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, të cilët nuk e humbën asnjëherë shpresën në Zotin, për rikthimin e kësaj dite të bekuar, në të cilën do të riktheheshin sërish para dyerve të lirisë”, u shpreh z. Sytari.

Sipas tij, numri i madh i pjesëmarrësve në atë ditë të bekuar, ishte dëshmi e qartë se nuk ka forcë ateiste a femohuese në botë, që mund të ndërhyjë për të shkëputur njeriun, krijesën më të përsosur të Zotit, nga Krijuesi i tij.

Duke falënderuar ata që u përkujdesën për sigurimin e këtij thesari të çmuar, Myftiu Sytari ftoi qytetarët dhe besimtarët shkodranë që të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet ditën e premte, datë 14 nëntor, në përkujtim të asaj dite dhe në nderim të figurës së H. Hafiz Sabri Koçit, pishtarit të ringjalljes së Islamit në Shqipëri.

Ky filmim do të shfaqet edhe për publikun e gjerë në kinema “Millenium”, datë 14 nëntor, ora 17.00, ku do të ketë një program special me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar për të gjithë shqiptarët.

Myftiu Muhamed Sytari