
Në kuadër të mbledhjeve periodike që u zhvilluan më herët me strukturat e institucionit në qendër dhe në rrethe, ditën e djeshme, u pritën në selinë e KMSH-së administratorët e qarqeve, me të cilët u diskutuan një sërë çështjesh kyçe për menaxhimin dhe përmirësimin e shërbimeve fetare dhe atyre administrative.
Në takim me ta, morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kancelari i institucionit, z. Fejzi Shaholli, Drejtori i Drejtorisë së Vakf-Investimeve, z. Erlis Mosha, si dhe drejtues të tjerë të sektorëve kryesorë, si financat apo çështjet juridike.
Në hapje të takimit, kryetari Spahiu vuri në dukje domosdoshmërinë e komunikimit të vazhdueshëm mes strukturave të institucionit, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe përgjigjen sa më efektive ndaj nevojave të kohës.
Më tej, Drejtori i Vakf-Investimeve, z. Mosha, u ndal në një sërë çështjesh të ndryshme me ta, si: ecuria e anëtarësimeve vjetore, menaxhimi i vakëfeve aktuale dhe zhvillimi i vakëfeve të reja, zekati, raportet financiare, etj.
Në takimin me administratorët u diskutuan edhe çështjet juridike, si legalizimet dhe regjistrimi i pronave me vërtetim pronësie, ndjekja e dosjeve të ATP-së dhe proceseve të hapura gjyqësore, me qëllim mbrojtjen sa më efikase të interesave të institucionit.
Në fjalën e tyre, administratorët e qarqeve sollën në fokus problematika të ndryshme nga përditshmëria që hasin në terren, mbi të cilat u propozuan edhe zgjidhjet më efikase për çdo rast.
Ky takim u zhvillua më tej në formën e një bashkëbisedimi konstruktiv mbi përmirësimin e performancës së përgjithshme.




