
Drejtoria e Arsimit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, organizoi edhe këtë vit olimpiadën e lëndëve fetare, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë disa vjeçare që nxit thellimin e njohurive, promovimin e ekselencës dhe garën mes nxënësve të medreseve të vendit.
Ky aktivitet, zhvillohet në dy faza, në fazën e parë morën pjesë rreth 50 nxënës nga të gjitha medresetë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, fazë e cila u zhvillua ditën e shtunë në ambientet e Medresesë Tiranë dhe përfshiu provimin me shkrim në lëndët Gjuhë Arabe, Fikh, Besim dhe Kuran.
Në nisje të saj, Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, pasi falenderoi nxënësit dhe mësuesit e pranishëm për pjesëmarrjen, theksoi rëndësinë e këtij organizimi si një një model suksesi në edukimin e brezave të rinj dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë islame.
Më tej, ai ndau me ta rregullat dhe udhëzimet përkatëse për nje proces sa më transparent dhe të drejtë.
Faza e dytë do të zhvillohët më 17 Maj në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, ku do të përfshihen 4 kategori në leximin e Kuranit Famëlartë. Në këtë fazë do të shpallen edhe fituesit për çdo disiplinë të olimpiadës dhe do të shpërndahen certifikatat përkatëse për më të mirët.
Përzgjedhja e pjesëmarrësve në të dyja fazat është bërë mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Organizues.
Kjo olimpiadë mbetet një ndër aktivitetet më të rëndësishme vjetore të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fushën e arsimit fetar, duke përfaqësuar një model suksesi në edukimin e brezave të rinj.









