
Ministria e Arsimit pranë Mbretërisë së Arabisë Saudite, në bashkëpunim me disa nga universitetet më prestigjioze të vendit, organizoi në Tiranë Forumin e Parë të të Diplomuarve nga Ballkani Perëndimor.
Aktiviteti u zhvillua nga 7 deri më 9 korrik dhe mblodhi së bashku qindra pjesëmarrës nga rajoni, përfshirë këtu përfaqësues të lartë të sferës akademike dhe asaj diplomatike.
Ndër të pranishmit e shumtë që morën pjesë, ishin: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, z. Faisal Gazi Hifdhi, ambasadorët e vendeve mike si: Katari, Kuvajti, Libia dhe Palestina, si dhe rektorët e universiteteve organizatore, të tillë si: Universiteti “Imam Muhamed bin Saud” i Riadit, Universiteti Islamik i Medinës dhe Universiteti “Umm al Qura” i Mekës.
Në fjalët e tyre përshëndetëse, të ftuarit e nderit e cilësuan Forumin si një platformë strategjike për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Arabisë Saudite dhe vendeve të Ballkanit, ndërsa të diplomuarit u vlerësuan si ura lidhëse mes kulturave dhe ambasadorë të vlerave islame.
Në kuadër të këtij forumi mjaft domethënës, rektorët e universiteteve organizatore i dorëzuan një plaketë mirënjohjeje kryetarit Spahiu, në shenjë respekti për kontributin dhe bashkëpunimin e tij ndër vite.
Ky Forum shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit arsimor dhe kulturor mes Arabisë Saudite dhe Ballkanit, përmes rrjetëzimit të të diplomuarve si faktorë të dialogut dhe zhvillimit të qëndrueshëm.




