
Drejtoria e Arsimit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi fazën e dytë të Olimpiadës së Lëndëve Fetare në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”.
Në këtë fazë morën pjesë 44 konkurrentë nga të gjitha medresetë e vendit, të cilët garuan në katër kategori të ndryshme të leximit të Kuranit Famëlartë.
Pas vlerësimit të performancave nga juria e përbërë nga teologë dhe specialistë të fushës së bukurkëndimit të Kuranit Fisnik, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit e të dyja fazave të olimpiadës.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në “Bedër”, Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi, drejtorë të medreseve, si dhe mësues e pedagogë të institucioneve arsimore të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Nënkryetari Bica, e vuri theksin te rëndësia jetike e dijes, veçanërisht asaj fetare, si themel për ndërtimin e një shoqërie me vlera të qëndrueshme. Ai nënvizoi gjithashtu përkushtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për rritjen dhe formimin e kuadrove të rinj teologjik nëpërmjet institucioneve të tij arsimore.
Ndërsa Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Bedër, u shpreh i nderuar që Bedër mirëpriti këtë olimpiadë të rëndësishëme, e cila përfaqëson përkushtimin ndaj dijes dhe vlerave islame. Ai shtoi gjithashtu se formimi dhe përgatitja e kuadrove cilësore fetare është një domosdoshmëri për mirëqenien e komunitetit tonë, ndaj investimi në këtë drejtim mbetet një ndër prioritetet kryesore.
Ndërsa, z. Gjimi, në emër të gjithë drejtorëve të medreseve, falenderoi mësuesit dhe nxënësit që u angazhuan me përkushtim e seriozitet të lartë në këtë olimpiadë, duke dëshmuar nivel të lartë përgatitjeje dhe dashurie të veçantë për dijen.
Në përfundim të këtij aktiviteti, u ndanë gjithsej 35 çmime fituese për 7 kategori, nga këto edhe 14 çmime inkurajuese.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron suksese të mëtejshme të gjithë nxënësve pjesëmarrës!







