Ditën e premte, datë 3 maj 2013, në Sul të rrethit të Devollit është inauguruar xhamia e re e këtij fshati.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, Nënkryetari Bujar Spahiu, Myftiu i Zonës Korçë, Qazim Muçi, Myftiu i Devollit, Artur Vrenozi, Kryetari i Komunës Miras, z. Kryeart Sejdo, drejtori i Medresesë së Korçës, z. Omer Çallësh etj.

Në fjalën e tij hyrëse, inspektori i xhamive në Komunitetin Mysliman, z. Gëzim Shahu, vlerësoi vendin që kanë xhamitë në jetën e besimtarëve dhe rolin e tyre në edukimin e brezave me dashurinë për Allahun dhe vlerat e fesë së Tij. Ai uroi besimtarët për xhaminë e re dhe premtoi se Komuniteti Mysliman do të vazhdojë me ndërtimin e tyre edhe në fshatra të tjerë të kësaj myftinie në të ardhmen.

IMG_4247

Ndërsa Kryetari H. Selim Muça, shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të gëzueshme. Ai është lutur që besimtarët e Sulit të kenë një mundësi më shumë për t’u kthyer nga Zoti dhe dyert e mëshirës së Tij, si dhe kërkoi që xhamia të frekuentohet me përkushtim dhe dashuri për Zotin, sepse ajo që ia shton bukurinë dhe hijeshinë asaj është pikërisht prania e besimtarëve.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Komunës Miras, z. Kryeart Sejdo. Në fjalën e tij z. Sejdo përcolli urimet dhe falënderimet e përzemërta të banorëve të zonës ndaj Kryetarit të KMSH-së, H. Selim Muça, stafit të tij të ngushtë dhe të gjithë atyre që financuan dhe kontribuan për ngritjen e saj. Kryekomunari Sejdo theksoi se e veçanta e kësaj xhamie është se ajo u ngrit në të njëjtin vend ku ka qenë xhamia e vjetër e fshatit.

“Me ngritjen e kësaj xhamie në këtë vend, ne realizojmë një ëndërr të kahershme dhe në të njëjtën kohë shfaqim respektin dhe nderimin për të parët tanë që na lanë trashëgim gjithçka që ne gëzojmë e trashëgojmë sot”, tha z. Sejdo.

Ezanin e parë në xhaminë e re të fshatit Sul e thirri drejtori i Medresesë së Korçës, z. Omer Çallësh, ndërsa hytben e kësaj dite e mbajti nënkryetari i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu.
Besimtarët myslimanë të Sulit në rrethin e Devollit, tashmë do t’i kryejnë ritet fetare në xhaminë e re të fshatit të tyre.

/Drita Islame/

IMG_4241