Kur’ani është libri i vetëm hyjnor që e ka ruajtur freskinë e origjinalitetin që prej kohës së shpalljes së parë dhe, me lejen e Allahut (xh.sh.), do ta ruajë deri në Ditën e Kiametit, sepse ai është nën mbrojtjen e vetë Zotit.
Myslimanët, që prej ditës së parë, vazhdimisht janë përpjekur për ta kuptuar Kur’anin. Së pari, duke pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s.). Për aq kohë sa Profeti(a.s.)ishtei pranishëm në këtë botë, kërkimi i shpjegimit të ajeteve nuk përbënte ndonjë problem. Kur sahabet kishin ndonjë vështirësi, ata i drejtoheshin atij dhe merrnin përgjigje të sigurt. Më pas, myslimanët e mësuan Kur’anin nga sahabet e nderuar… dhe pastaj nga ata që kishin mësuar prej sahabeve. Ndërsa, ata që erdhën më vonë, u përpoqën ta kuptonin Kur’anin me hulumtimet dhe punën e tyre. Me kalimin e shekujve, metodat e kuptimit të Kur’anit ndryshuan, e po ashtu edhe metodat e interpretimit të tij. Qysh atëherë e deri më sot, janë bërë interpretime të ndryshme në bazë të kuptimit leksikor, gjuhësor, metaforik, shkollave të ndryshme juridike… e duke marrë për bazë shumë aspekte të tjera. Në bazë të interpretimeve, dolën në pah edhe metodat e ndryshme të interpretimit kur’anor. Qëllimi i vetëm ka qenë që këtë libër hyjnor ta lexojnë e ta kuptojnë sa më lehtë të gjithë, për ta jetuar më pas ashtu siç duhet.
Në këtë libër të vogël tefsiri, jemi përpjekur për të dhënë kontributin tonë modest në kuptimin e Kur’anit Famëlartë, duke përmbledhur disa interpretime të dijetarëve të shquar, që fillojnë me suren Fatiha, pastaj me suren Duha dhe me radhë deri te surja Nas.
Në interpretimin e ajeteve, përqendrimi ka qenë më tepër në tefsiret: Medarik i Nesefiut, Safhatu et-Tefasir i M. AliSabunit, Feja e vërtetë Gjuha e Kur’anit e Elmalili M. HamdiYazar, si dheTefhimul-Kur’an i Ebu’lAlaMeududit. Janë sqaruar disa fjalë të vështira për t’u kuptuar në brendësi të ajeteve, është përmendur shkaku i zbritjes së tyre aty ku ka pasur, janë cekur disa sqarime të veçanta nga dijetarët, si edhe mendimet e tyre juridike. Jemi munduar të tregojmë burimin e haditheve të transmetuara rreth shkakut të zbritjes së shpalljes. Në shqipërimin e ajeteve është përdorur përkthimi i Prof. Hasan I. Nahit, Kur’ani i madhërishëm, AIITC, Tiranë, 2007.
Nuk jemi zgjatur shumë në interpretimin e ajeteve, sepse qëllimi ynë është që ky tefsir të ndihmojë nxënësit e dijes dhe lexuesin, duke ia lënë atyre në dorë meditimin më të thellë rreth tyre. Kjo për arsye setefsiret voluminozë e trembin lexuesin që në fillim dhe e bëjnë atë të heqë dorë nga leximi. Për rrjedhojë, punën tonë jemi munduar ta bëjmë sa më shkurt, duke u fokusuar në interpretimin e sureve që këndohen më tepër në namaz. Pavarësisht kujdesit të treguar, shpresojmë që mangësitë të falen e mos të bëhen pjesë kritike nga lexuesi.