Ky punimështë një përmbledhje e përkthimit dhe komentimit të sures “Fatiha” të Kur’anit nga veprat e dijetarëve myslimanë, H. Vehbi Dibra, me titull “Ç’urdhëron Kur’ani”; H. Ibrahim Dalliu, me titull “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”; dhe H. Ali Korça “Tefsiri i sures Fatiha”, botuar në revistën “Zani i Naltë”.
Kontributi i këtyre dijetarëve myslimanë është me shumë vlera në përhapjen e diturisë islame në Shqipëri e më gjerë.
- Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937) është komentuesi më i mirë i Kur’anit në gjuhën shqipe. Ai është kryetari i parë i Kuvendit (Pleqërisë) pas shpalljes së pavarësisë më 1912. U emërua kryemyfti i Shqipërisë në vitet 1912-1923. Është kryetari i Parë i Komunitetit Mysliman në vitet 1923-1929. Për kontributin e tij në shërbim të fesë dhe kombit është dekoruar disa herë pas vdekjes.
- Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952) ka kryer studimet e larta në Stamboll. Mësues i parë i gjuhës shqipe në vitin 1901 me Filip Ashikun e Haxhi Voglin. Më 1908 mësues i shkollës së vajzave në Tiranë. Më 1909 pjesëmarrës dhe mësues në shkollën “Normale të Elbasanit” për përgatitjen e mësuesve. Si publicist, nga viti 1912, drejtoi gazetën “Dajti”. Si teolog ka botuar mbi 15 vepra fetare, më kryesorja, përkthimi dhe komentimi i Kur’anit, i titulluar “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”; mësues në medresenë e Tiranës, etj.
- HafizAli Korça (1873-1957) ka kryer studimet e larta në Stamboll. Pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës më 1909 për alfabetin e gjuhës shqipe. Në vitin 1914 emërohet këshilltar i Ministrisë së Arsimit; drejtor arsimi për qytetet Durrës, Elbasan, Dibër, Mat, Pogradec; anëtar i Këshillit të Naltë të Sheriatit Islam në Tiranë; pjesëmarrës në hapjen e parë të Medresesë Tiranë; kontribuues në fushën e veprimtarisë letrare dhe teologjike.
Këta dijetarë i lanë brezave pasardhës vepra me vlerë në fushën e Fikhut (Jurisprudencës Islame), Hadithit të Profetit a.s., si dhe në Shkencat e Kur’anit.
Në këtë botim është veçuar komenti i sures “Fatiha” nga këta tre dijetarë të shquar, për të sjellë përpara lexuesit një interpretim sa më të mirë.
Në komentet që ata i bëjnë ajetevekur’anore vërehet një kulturë e gjerë në fushën e Islamit dhe lexuesi kupton se Islami është fe racionale, që i jep përparësi logjikës në trajtimin e problemeve fetare dhe sociale.
Të interpretosh Kur’anin, do të thotë, të lundrosh në një botë më vete, atë të Tefsirit.
Për çdo ajet jepet kuptimi më i afërt me përkthimin e tij dhe pastaj bëhet interpretimi, duke u ndalur edhe në analizën gramatikore e sintaksore.
Në këtë tefsir të sures “Fatiha”, kemi zgjedhur të përdorim gjuhën standarde, duke zëvendësuar shprehjet dialektore krahinore, të cilat janë të panjohura për brezin e ri.
Kjo sure me përkthimin e komentin e saj do t’i shërbejë lexuesve për të kuptuar vlerën e madhe që Kur’ani ka për njeriun, qytetërimin e tij, marrëdhëniet shoqërore, vëllazërore e shpirtërore; mbi të gjitha, mbi dituritë moralo-sociale dhe në formën e lutjes që duhet t’i drejtojë çdo besimtar Allahut të Lartësuar.