Komuniteti Mysliman i Shqipërisë çeli sot në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, sesionin e tretë trajnues shkencor–fetar për imamët dhe hatibët e xhamive të Republikës së Shqipërisë.

Ky trajnim u realizua në bashkëpunim me Atasheun Fetar të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Bosnjë dhe Hercegovinë, nën mbikëqyrjen e Ministrit të Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Shkëlqesisë së tij Dr. Abdul Latif bin Abdul Aziz Al-Sheikh, në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar mes dy institucioneve në vitin 2021.

Në ceremoninë e hapjes, morën pjesë; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Sh.T.Z. Faisal bin Ghazi Hefdhi, Ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Shejh Abdul Latif bin Nasser Al-Hussein, Atasheu Fetar i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe një numër i konsiderueshëm myftinjsh, imamësh e hatibësh të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Spahiu, theksoi se ky trajnim pasqyron përkushtimin e institucionit për të mbështetur formimin e vazhdueshëm të imamëve dhe hatibëve. Ai nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve të tyre si një mjet për forcimin e rolit të xhamive në shërbim të komunitetit.

Ndërsa Ambasadori Hifdhi, nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite për nisma të tilla që synojnë forcimin e bashkëpunimit fetar e kulturor ndërmjet dy vendeve. Ai përshëndeti përkushtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe rolin aktiv të imamëve e hatibëve në përçimin e mesazheve të pastra islame, duke shprehur mirënjohjen për frymën e bashkëpunimit të deritanishëm.

Ky trajnim do të zgjasë për disa ditë, me qëllim ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe thirrëse të imamëve e hatibëve në Shqipëri, duke forcuar rolin e tyre në përhapjen e vlerave të pastra islame dhe në theksimin e parimeve të moderimit, tolerancës dhe vëllazërisë. Në përfundim të kursit, pjesëmarrësve do t’u shpërndahen edhe certifikata pjesëmarrjeje.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh falënderimet dhe mirënjohjen e tij të thellë për Ambasadën e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, si dhe për Atasheun Fetar në Bosnjë dhe Hercegovinë, për mbështetjen e tyre të vyer dhe kontributin e çmuar në suksesin e kësaj nisme.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë