promovimi-prishtine-5Libri “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, botim i tre Bashkësive  Islame në trojet shqiptare, KMSH, BIK dhe BFIM është promovuar dje (14 nëntor 2013) në Prishtinë.

Në ceremoninë e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, në sallën e konferencave të Fakultetit të Shkencave Islame,  të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërsë, nënkryetari H. Bujar Spahiu, drejtori i Kulturës z. Genti Kruja dhe drejtori i Medias z. Agron Hoxha.

Nënkryetari Spahu në fjalën e tij përcolli përshëndetjet e kreut të KMSH-së Haxhi Selim Muça dhe u shpreh se është një nder i madh për të, që të marrë pjesë në aktivitete të tilla ku  përmendet një nga periudhat si dhe figurat nga më të ndriturat të kombit shqiptar, atë të ulemave që ndriçuan rrugën tonë deri më sot.

“Ne sot nderojmë dhe promovojmë gjurmët e ndritshme dhe kontributet e vyera të personaliteteve shqiptare të kulturës islame në formësimin e identitetit tonë kombëtar në një periudhë të rëndësishme kombëtare. Libri që promovojmë ne sot, është frut i punës së 40 studiuesve që vitin e kaluar shpalosën dhe nxorën në dritë kontributin e jashtëzakonshëm të ulemave dhe hoxhallarëve në forcimin e vetëdijes kombëtare. Duke analizuar vetëm titujt e këtyre referateve, pa hyrë në përmbajtje, duket qartë preokupimi, përpjekja, sakrificat dhe vetëmohimi i këtyre baballarëve të kombit për një atdhe të lirë, të bukur, të plotë dhe për një komb shqiptar të bashkuar dhe të vëllazëruar”, u shpreh z. Spahiu.

Më tej ai nënvizoi se “detyra dhe obligimi ynë kundrejt këtyre personave është shumë i madh dhe lusim Zotin që përpjekjet tona të pasqyrojnë sadopak atë ambient fetaro-patriotik nga i cili edhe sot mund të nxjerrim mësime dhe mund të marrim shembuj për të ndërtuar një të ardhme më të lumtur për të gjithë ne dhe pasardhësit tanë. Duke i nderuar dhe përkujtuar prijësit tanë myslimanë shqiptarë, kemi nderuar veten tonë. Sepse hadithi i Profetit Muhamed a.s. thotë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve.” Kështu këta dijetarë dhe ulema janë rruga e Profetit, që ne mundohemi të ndjekim çdo ditë. Sot brezat e rinj, kanë një motiv më shumë për t’u ndjerë krenarë me jetën dhe veprën e intelektualëve të nderuar dhe hoxhallarëve të shquar shqiptarë, të cilët punuan dhe vepruan gjatë gjithë jetës për të mbjellë harmoni, dije, përkushtim, kulturë, qytetari dhe mbi të gjitha paqe në shoqëri. Shqiptarët, sot më shumë se kurrë duhet të ndjehet krenarë për këta burra të shquar, që na mësuan dhe na mëkuan çdo të mirë për jetën e sotme dhe të përtejmen.”

Gjithashtu fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim  Tërnava si dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup Faredin Ebibi, i cili ka përcjellë përshëndetjet kreut të BIM Sulejman Rexhepit.

Pas fjalëve përshëndetëse, aktiviteti ka vazhdduar me referatet përkatëse nga Prof. Dr. Gazmend Rizaj, Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha dhe Resul Rexhepi.

Më herët libri “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” është promovuar në Tiranë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ndërkohë që do të promovohet edhe në Shkup.

Libri përmbledh punimet e konferencës shkencore mbarëshqiptare me të njëjtin emër, e cila u zhvillua me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë më 28-29 shtator 2012, në Tiranë.

/Drita Islame/

 

 

promovimi prishtine (1)  promovimi prishtine (3)

promovimi prishtine (2)promovimi prishtine (4)