
Ditën e sotme, në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër, u zhvillua ceremonia përmbyllëse e sesionit të tretë trajnues shkencor–fetar për imamët dhe hatibët e Republikës së Shqipërisë, trajnim ky i cili u realizua në bashkëpunim me Atasheun Fetar të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Bosnjë dhe Hercegovinë, nën mbikëqyrjen e Ministrit të Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Shkëlqesisë së tij Dr. Abdul Latif bin Abdul Aziz Al-Sheikh.
Për tre ditë me radhë, imamë dhe hatibë të shumtë që shërbejnë në qytete të ndryshme të vendit tonë, u bënë pjesë e trajnimit mbi librin “Shpjegimi i Sunetit” të Shejhut të nderuar Ismail ibn Jahja el-Muzani, trajnim ky i cili u mbajt nga Dr. Saud bin Maluh bin Sultan el-Anezi.
Ceremonia e sotme u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, për të vijuar më pas me fjalën e rastit të Kryetarit të KMSH-së, z. Bujar Spahiu.
Në fjalën e tij, kryetari Spahiu vlerësoi impaktin e këtij trajnimi si mjaft dobiprurës në punën e përditshme të kuadrove të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që shërbejnë në xhami apo myftini të ndryshme të institucionit.
“Gjatë këtij trajnimi, kemi parë përkushtimin e imamëve dhe hatibëve për kërkimin e dijes dhe zhvillimit personal. Është bërë e qartë vendosmëria e tyre e sinqertë për ta përmbushur misionin e madh në udhëzimin e njerëzve drejt moderimit, mëshirës dhe bashkëpunimit në mirësi e devotshmëri. Nuk ka dyshim se frytet e këtyre përpjekjeve do të shfaqen në xhamitë dhe shoqëritë tona së shpejti, me lejen e Allahut të Lartësuar.” – veçoi ai gjatë fjalës së tij.
Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Dr. Saud bin Maluh bin Sultan el-Anezi, i cili për tre ditë me radhë ishte në krye të këtij trajnimi ku ndau pikëpamjet e tij mbi botimin e lartpërmendur.
Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje për të gjithë imamët dhe hatibët e pranishëm, të cilët treguan seriozitetin në ndjekjen me vëmendje të ligjëratave dhe diskutimeve, në angazhimin e tyre për të përfituar sa më shumë nga përmbajtja e trajnimit, në gatishmërinë për të shtruar pyetje dhe për të ndarë përvoja praktike si dhe në përpjekjet për ta zbatuar këtë dije në shërbim të besimtarëve dhe mbarë shoqërisë.
Në fund, të gjithë të pranishmit që u bënë pjesë e këtij trajnimi u pajisën me certifikatat e pjesëmarrjes, të cilat u shpërndanë nga kryetari Spahiu dhe Dr. Saud bin Maluh bin Sultan el-Anezi.











