Muharrem, muaji i parë i vitit kalendarik islam, një nga katër muajt e shenjtë në islam.
Allahu i Madhërishëm ka zgjedhur orë, ditë dhe muaj të cilave u ka dhënë vlerë të veçantë.
Orë, ditë dhe muaj të cilat na i ka bërë ne si favor që të përfitojmë prej mirësive të tyre.
Njeriut nuk do t’i mjaftonte koha për të adhuruar Allahun, siç duhet, për mirësitë që Ai i ka dhënë, andaj ne duhet t’i jemi falënderues për vlerën që i ka dhënë kohës, dhe ne të përfitojmë prej begative të asaj.
Muaji Muharrem është i njohur si “Shehrullah”, Muaji i Allahut (xh.sh.).
Në këtë muaj begatia dhe mirësia hyjnore në favor të njeriut shtohet.
Allahu (xh.sh.) është i pafillim dhe i pafund, nga kjo ne e kuptojmë që koha e cilësuar me vlerë është mëshirë për ne.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut, Muharrem.”
Në këtë muaj gjendet një ditë që dëshmon se islami është vazhdimësi prej zanafille, dita Ashures, ditë e cila është cilësuar si me shumë vlerë edhe nga të krishterët dhe hebrenjtë.
Kur mbërriti në Medine, pas shpërnguljes nga Meka, Profeti Muhamed (a.s.) vuri re se hebrenjtë që jetonin aty ishin agjërueshëm.
I pyet, -për çfarë po agjëroni?
Ata i thanë, -në këtë ditë Allahu (xh.sh.) e shpëtoi Hz. Musain nga Faraoni.
Pra, ata agjëronin në shenjë falënderimi dhe përkujtimi të kësaj ngjarje.
Kur dëgjon këtë, Profeti Muhamed (a.s.) thotë, -ne jemi më të afërt me Musain (a.s.) se ju, prandaj na përket edhe ne ta mbajmë gjallë traditën e tij.
Profeti Muhamed (a.s.) agjëroi dhe urdhëroi agjërimin e kësaj dite, deri në momentin që për myslimanët u bë detyrim agjërimi i Ramazanit.
Që prej asaj kohe, kjo ditë u këshillua që të agjërohet si sunnet(vullnetar), jo farz, por që ka referenca të forta që pohojnë se është mirë të agjërohet, dhe e shoqëruar midis dy ditëve të tjera, para dhe pas saj.
Dita e Ashures, ajo është dita e 10-të e muajit Muharrem.
Këtë vit, Dita e Ashures është më datë 18 gusht.
Në literaturën islame, nga kolosë të mendimit dhe interpretimit të Kuranit dhe Hadithit, kjo ditë përveçse lidhet me ngjarjen e Musait (a.s.) ka të ngjarë që lidhet edhe me profetë të tjerë para dhe pas tij.
Në ditën e dhjetë të muajit Muharrem (Ashure), Allahu xh.sh, e shpëtoi Hz. Musain (a.s.) nga Faraoni duke e mbytur në det Faraonin bashkë me ushtrinë e tij, Hz. Nuh (a.s.) e ankoroi anijen në malin Xhudi ditën e Ashures, Junusi (a.s.) shpëtoi nga barku i balenës, Ademit (a.s.) i’u pranua pendesa, Jusufi (a.s.) u nxorr nga pusi ku ishte hedhur nga vëllezërit,
Isa (a.s.) erdhi në jetë në këtë ditë dhe po në këtë ditë u ngrit në qiell, Davudit (a.s.) i’u pranua pendesa, Ismaili (a.s.) erdhi në jetë në këtë ditë, Jakubit (a.s.) i’u rikthye shikimi ditën e Ashures, Ejubi (a.s.) u shërua nga semundja po në këtë ditë.
Renditja e këtyre ngjarjeve mësipër, ishte për kontekst historik, dhe kërshëri të lexuesit, pasi për argument, rëndësia e kësaj dite dhe këtij muaji me vlerë mjafton Kurani dhe Hadithi i profetit (a.s.).
Kur dikush e pyet profetin (a.s.) se kur mund të agjëroj tjetër përveç Ramazanit, ai (a.s.) i është përgjigjur, -agjëro në muajin Muharrem. Sepse ai është muaji i Allahut xh.sh. Në të gjendet një ditë, në të cilën Allahu (xh.sh.) pranoi pendesën e një fisi dhe po në atë ditë mund të falë një fis tjetër.
Në një tjetër hadith të transmetuar nga Tirmidhiu, profeti (a.s.) urdhëron kështu: “Shpresoj që agjërimi i ditës së Ashures të jetë falës i gjynaheve të vitit të kaluar.”
Veprat e mira në këtë muaj nuk janë të kufizuara vetëm në agjërim, vlerë të madhe kanë edhe vepra të tilla si dhënia e sadakasë, përgatitja e një atmosfere gëzimi në familje, të afërmit, jetimët, komshinjtë dhe njerëzit pa përkrahje etj.
Në një hadith Profeti Muhamed (s.a.) thotë: “Cilido prej jush që gostit familjen e tij ditën e Ashures, Allahu (xh.sh.) i jep bereqet dhe ia rrit furnizimin gjatë gjithë vitit.”
Qofshim prej atyre që e mbushin kohën e tyre me vepra të pëlqyera nga Allahu (xh.sh.)!
Amin!

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë