Këshilli Bashkiak i Bashkisë Shkodër i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Qytetit”, studiueses shkodrane të Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi.

Ceremonia e dhënies së titullit u organizua nga Myftinia Shkodër, më 4 prill 2015, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Maxhid Cungu, Kryetari i Këshillit të Bashkisë, z. Bardhyl Lohja, si dhe intelektualë të shumtë të qytetit të Shkodrës, si dhe të ardhur nga Tirana në nderim të kësaj ceremonie.

Dr. Leart Bërdica, në emër të organizatorëve që shprehu mirënjohjen e tij për Këshillin e Bashkisë Shkodër. Ai theksoi se ceremonia e sotme është një vlerësim për intelektualët e Shkodrës, mjekët në veçanti dhe të gjithë ata që gjejnë tek besimi në Zotin e Madhëruar, një motiv më shumë për të përparuar në jetë, në rrugën e zënies së dijes dhe praktikimit të saj në dobi të njerëzimit

Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, theksoi se: “E vërteta është se realitetet e sotme të qytetit tonë, kanë përherë nevojë për momente të tilla fatlume, ku mirënjohja kthehet në kryefjalë. Vlera e kësaj mirënjohjeje peshon edhe më me shumë dinjitet e krenari, kur vendoset në duart e një njeriu, që është larguar që herët nga vendlindja e saj, ka kaluar muret e larta të lodhjes, mallit, sakrificës, paragjykimit dhe përballjes me vështirësitë e zënies së dijes, ku ka arritur maja të pashkelura më parë nga dikush tjetër.”

Studiuesja shkodrane, Dr. Egesta Lopçi, në fjalën e mbajtur para të pranishëmve, theksoi se ky titull është në të vërtetë një vlerësim i madh për të dhe një respekt nga vendlindja e dashur, të cilës i ka munguar prej 17 vitesh.

Ndërsa mjekja e njohur, Jolanda Lopçi (nëna e Dr. Egesta Lopçi), përmes emocioneve dhe falënderimeve të shumta, tregoi për arritjet e studiueses së re shkodrane të mjekësisë bërthamore dhe vlerësimet e fituara prej saj në konferenca dhe takime ndërkombëtare, nga njëri cep i botës në tjetrin.

Znj. Lopçi theksoi se thirrja e besimit, të cilës iu dedikua e bija, që ditën e vendosjes së velit e deri më sot, ka qenë një motiv më shumë për të qenë përherë shembull i një myslimaneje të përkushtuar në jetë dhe një studiuese, që përherë ka arritur maksimumin e vlerësimeve, si në Universitetin e Bolonjës, ku është diplomuar me notë maksimale, si në konferencat shkencore ku ka prezantuar studime elitare në mënyrat e luftimit të kancerit nëpërmjet mjekësisë bërthamore, si në revistat e ndryshme shkencore të fushës, ku përtej dhjetëra studimeve të botuara, është edhe pjesë e bordeve drejtuese. Ajo theksoi se një moment kulmor në jetën e Dr. Egesta Lopçi ishte edhe kryerja e haxhit në vitin 2010.

Dr. Egesta Lopçi jeton dhe punon në Itali.

Dr.Egesta-Lopci3 Dr.Egesta-Lopci5 Dr.Egesta-Lopci7