Kur’ani thekson se qëllimi i krijimit të qenieve njerëzore është besimi dhe adhurimi i Zotit. Vetëm me anë të dritës së besimit ne mund të kuptojmë thelbin tonë, qëllimin e jetës, mund të bëhemi të vetëdijshëm rreth aspekteve të brendshme të fenomeneve, si dhe të arsyeve që qëndrojnë pas tyre. Në udhëtimin e tyre gjatë jetës, besimtarët e mirë dhe të vëmendshëm, e studiojnë ekzistencën dhe atë që ndodhet pas saj me mijëra herë, duke i dhënë kuptimin e vërtetë asaj. Ata i filtrojnë gjërat dhe ngjarjet pa pushim, duke u përpjekur të hapin çdo derë e duke u munduar të vendosin marrëdhënie me çdo objekt.

Njeriu në praktikën e përditshme bën përpjekje që të njohë fillimisht vetveten. Veçanërisht besimtari që i referohet fesë së tij, ka një vizion më të qartë për ta klasifikuar veten në raport me Zotin dhe me shoqërinë ku jeton. Ai nevojitet të dallojë e të vlerësojë veten që me qëndrimin e tij të ndikojë tek të tjerët, po ashtu, nevojitet të kuptojë se çfarë vlerash pozitive mund të marrë edhe prej tyre. Prandaj, besimtari të gjithë veprimtarinë duhet ta shohë me syrin e përgjegjësisë te Zoti për të mos shkarë në rrugë të shtrembër, por të bëhet fener ndriçues për të tjerët.

Ashtu si mundohen shumë persona për të rënë nga mbipesha, duke u privuar nga ushqime të ndryshme, apo duke u përpjekur me ushtrime fizike, shkurt pranojnë çdo vështirësi vetëm e vetëm të kenë një fizik dhe trup të bukur, ashtu edhe një besimtar i mirë duhet të pastrojë e rifreskojë vazhdimisht shpirtin e tij me pendim, lutje, bamirësi, përmendje të Zotit dhe sjellje të mirë, pra me adhurime të llojeve të ndryshme.Ai punon vazhdimisht që të jetë i ndërgjegjshëm për ndjenjat dhe gjendjen e tij të brendshme, si dhe për qëndrimet e opinionin e tij rreth çështjeve të ndryshme.

Shkak për botimin e këtij libri u bënë disa shokë, të cilët më sugjeruan t’i grumbulloj të gjitha shkrimet e mia dhe t’i botoj. Pikërisht, libri që keni në duar është i përbërë prej shkrimeve të përzgjedhura që kam shkruar gjatë viteve, kryesisht në revistat “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë”, botime periodike të KMSH-së. Të gjitha shkrimet e renditura në këtë libër janë rishikuar e formatuar edhe njëherë për të marrë trajtën përfundimtare. Tematikat e shkrimeve janë të larmishme, duke prekur çështje të ndryshme përsa i përket besimit dhe jetës praktike të besimtarit. Në këto tematika jam përpjekur të tregoj rrugët e fitimit të kënaqësisë së Zotit, mbi të cilat njeriu duhet të shkelë për t’u bërë prejrobve që pëlqen Krijuesi. Pra, synimi është që lexuesi të ndikohet dhe ky libër të shërbejë si një faktor nga faktorët e shumtë të Allahut, që ai të përmirësojë diçka nga jeta e vet.

Suksesi vjen nga Zoti i Madhërishëm.