Falënderimi i parë i takon Zotit të Plotfuqishëm, i Cili dërgoi Profetin Muhamed për t’i kumtuar njerëzimit fjalën e Tij Hyjnore, që e udhëheq atë drejt së vërtetës, reales, për sheshimin e dilemave sociale që mbart shoqëria sot. Ajo po shoqërohet në çdo hap të saj me një bashkëjetesë të çuditshme të veprimeve morale me ato jo morale. Nën etiketimin e një jete moderne, e mira po zëvendësohet me të keqen, parimet morale të shoqërisë po zëvendësohen me parimet personale. Kjo liri individuale po shoqërohet me deformime që krijojnë plagë të reja sociale.

Duhet ditur mirë se të gjitha revelatat qiellore (shpalljet qiellore) kanë zbritur për të mirën e njeriut dhe kanë veprimtari të pakufizuar, kurse vetë njeriu, i cili vepron në tokë, është i kufizuar në kohë e hapësirë dhe influencohet nga shumë faktorë të jashtëm e të brendshëm.

Kur’ani Famëlartë, si shpallje hyjnore, i ka dhënë leksioneegjithashtu edhe zgjidhje problemeve të shoqërive njerëzore që bota ka njohur, pas shpalljes, e deri në qytetërimin më modern të saj. Ai u drejtohet të gjitha shtresave të shoqërisë.

Feja islame është mënyrë jetese dhe nuk përjashton asgjë nga jeta e përditshme e njeriut, madje i përfshin në ligjet e jurisprudencës islame. Për këtë arsye ndjenja e besimit te Zoti duhet të përfshijë në ndërgjegjen e myslimanit edhe udhëzimet hyjnore, kushtetutën islame, Kur’anin Fisnik. Pra, duhet të përputhet besimi me veprat konkrete, që besimtari kryen në jetën e tij; duhet të zbatohen normat islame.

Feja islame buron nga Kur’ani, prandaj është udha e drejtë e korrekte që duhet të ndjekë myslimani. Për këtë edhe libri është titulluar “Kur’ani dhe njeriu”, duke i vënë përballë njëri-tjetrit në mënyrë që njeriu të shohë se ku qëndron me zbatimin e ligjeve dhe udhëzimeve të Zotit. Këtu do të shohë se sa përputhen veprat, të menduarit e të kuptuarit, perceptimi i qëllimit përfundimtar për arritjen e rezultatit final.

Në ndërtimin e jetës së tij, besimtari kryen vepra, të cilat duhet t’i dallojë e përdorë për të mirën e tij personale, e familjes dhe shoqërisë. Për këtë kërkohet edhe dituri islame. Baza e kësaj diturie gjendet në Kur’an. Për këtë arsye H. Dalliu, Zoti e mëshiroftë, i kushtoi një rëndësi të veçantë përkthimit në shqip të Kur’anit dhe interpretimit të tij, që përfaqëson një fushë të specializuar të diturisë. Ai ka bërë shpjegimin dhe interpretimin e ajeteve kur’anore, duke u përqendruar në gramatikë, në histori, në pikëpamje juridike, teologjike, në normat morale e deri te kuptimet alegorike. Megjithatë, kuptimi dhe interpretimi i Kur’anit është i paarritshëm në përsosmërinë e tij si Fjalë Hyjnore.

Qëllimi kryesor i serisë së librave të komenteve të H. Dalliut titulluar “Kurani dhe njeriu” është që të ndihmojë lexuesit se si mund të ballafaqohen me ligjet hyjnorë, të dallojnë të mirën nga e keqja, për t’u bërë njerëz të mirë, humanë, të përkushtuar në besimin ndaj Zotit si dhe në arritjen e njohjessë vetvetes si njeri, me synimin e vetëm për të arritur përsosmërinë morale dhe shpirtërore.