Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në ambientet e institucionit Ambasadoren e Algjerisë në Republikën e Greqisë, njëkohësisht e akredituar edhe për Shqipërinë, znj. Zaina Benhabouche.

Pasi i shprehu mirëseardhjen në selinë e institucionit, kryetari Spahiu vlerësoi kontributin e rëndësishëm të Algjerisë në promovimin e vlerave islame dhe mbështetjen ndaj nismave për forcimin e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit kulturor. Më tej, ai e njohu Ambasadoren me organikën e institucionit, myftinitë në rrethe dhe institucionet në varësi.

Ndërsa Ambasadorja Benhabouche shprehu mirënjohjen e saj për këtë pritje dhe theksoi rëndësinë që Algjeria i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, duke vlerësuar rolin konstruktiv të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në promovimin e paqes, tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.

Më tej, palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, përmes shkëmbimeve kulturore, edukative dhe atyre fetare.

Gjatë kësaj vizite, Ambasadorja ishte e shoqëruar nga e Ngarkuara me Punë e Misionit Diplomatik të Algjerisë në Tiranë, znj. Nadia Lamrani, ndërsa kryetari Spahiu u shoqërua nga këshilltari i tij për marrëdhëniet me vendet arabe, z. Jamal al-Safarti, si dhe nga Myftiu i Krujës, z. Ermir Gjana.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë