Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në një takim kortezie, në selinë e institucionit, Ambasadorin e Ambasadës së Shtetit të Palestinës në vendin tonë, z. Sami Mehna.

Pas urimit të mirëseardhjes, kryetari Spahiu, e njohu shkurtimisht z. Mehna me institucionin që ai drejton, duke i prezantuar veprimtarinë e tij fetare, arsimore dhe ato sociale.

Ambasadori Menha, e falenderoi kryetarin Spahiu për mikpritjen dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që ky institucion luan në promovimin e vlerave fetare, edukative dhe shoqërore në vend. Më tej, ai shprehu vullnetin dhe angazhimin e tij të plotë në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me KMSH-në.

Gjatë takimit u trajtuan çështje të ndryshme të aktualitetit në Lindjen e Mesme, si dhe u diskutuan tema me interes të përbashkët, me theks të veçantë tek nxitja e dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve.

Lusim Allahun Fuqiplotë që të përhapë paqen dhe qëndrueshmërinë në çdo cep të botës, veçanërisht aty ku mbizotërojnë konfliktet, të lehtësojë vuajtjet e të pafajshmëve dhe të udhëzojë shoqëritë njerëzore drejt mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.

Gjatë këtij takimi, kryetari Spahiu shoqërohej nga këshilltari i tij për marrëdhëniet me vendet arabe, z. Jamal al-Safarti dhe Myftiu i Krujës, z. Ermir Gjana.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë