izrael

Kryetarin e Komunitetit Mysliman, Skender Bruçaj, e vizitoi sot paradite ambasadori i Izraelit në Tiranë z. David Cohen.

Pasi i uroi z. Cohen mirëseardhjen, Kryetari Bruçaj vlerësoi marrëdhëniet e ngushta e miqësore që ekzistojnë mes dy popujve tanë, teksa u shpreh: “Marrëdhëniet tona kanë qenë të hapura dhe të bazuara në respekt dhe vlerësim reciprok. Është koha e duhur për një thellim dhe forcim të këtyre marrëdhënieve në interes të të dy popujve.”

Z. Cohen i përcolli z. Bruçaj urimet e përzemërta për detyrën e re. “Duke ju uruar suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re, shpresoj në rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen”, tha z. Cohen.

Më tej ambasadori shprehu vlerësimin e tij për ish kryetarin H. Selim Muça, duke përmendur kontributin e tij për komunitetin mysliman dhe rolin e tij të çmuar për konsolidimin e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri dhe rajon.

Duke vlerësuar rolin e shqiptarëve në mbrojtje të bashkëkombësve të tij, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, z. Cohen theksoi se qeveria dhe populli i Izraelit u janë mirënjohës qytetarëve shqiptarë për qëndrimin historik në mbrojtje të hebrenjve.

9 Prill 2014