
Kolegji Universitar “Bedër”, institucioni më i lartë arsimor i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, diplomoi brezin e 12-të të studentëve.
Në një ceremoni të zhvilluar me këtë rast, 220 studentë nga programe të ndryshme studimi të ciklit të parë dhe të dytë, hodhën në ajër kapelet e diplomimit, duke simbolizuar kështu përfundimin e rrugëtimit të tyre akademik.
Të pranishëm në këtë eveniment, ishin: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Rektori i KU “Bedër”, Prof. Gjergj Sinani, trupa akademike e institucionit, përfaqësues të institucioneve partnere, personalitete si dhe familjarë të shumtë të studentëve.
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari Spahiu theksoi rëndësinë strategjike të arsimit cilësor dhe rolit të pazëvendësueshëm që luan ky institucion në edukimin e brezave të rinj. Ai i përgëzoi studentët për përpjekjet e tyre dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të kontribuojnë me dije, integritet dhe përgjegjshmëri në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë.
Në emër të institucionit, të diplomuarit u përshëndetën edhe nga Rektori, Prof. Gjergj Sinani, i cili i përgëzoi studentët për arritjen e këtij momenti të rëndësishëm në jetën e tyre dhe uroi që rruga e tyre e mëtejshme të jetë e mbushur me suksese dhe kontribute pozitive në shoqëri.
Diplomimi i brezit të dymbëdhjetë nga ky institucion përbën një dëshmi konkrete të misionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të ndërtuar institucione arsimore moderne, me baza të forta etike e profesionale, në shërbim të shoqërisë tonë.
Urime të përzemërta për të gjithë të diplomuarit dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin tuaj profesional!
Më poshtë, do të gjeni fjalën e plotë të Kryetarit Spahiu në këtë ceremoni.
Të nderuar drejtues të Universitetit Bedër dhe staf akademik,
Të respektuar familjarë e të ftuar,
Të dashur të diplomuar,
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju!
Kam kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë që të jem sot mes jush, në një nga momentet më domethënëse në jetën akademike dhe profesionale të studentëve të Universitetit Bedër – siç është ceremonia juaj e diplomimit.
Kjo ditë shënon jo vetëm një arritje të rëndësishme individuale, por edhe një dëshmi të përbashkët suksesi mes studentëve, pedagogëve dhe familjarëve.
Universiteti Bedër, si institucion i arsimit të lartë që vepron nën kujdesin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka si mision themelor kultivimin e dijes së thellë, formimin e karakterit dhe promovimin e vlerave universale të paqes, drejtësisë, etikës dhe dialogut ndërkulturor.
Në një shoqëri që përballet me sfida të shumta – si në aspektin moral, social, ashtu edhe në atë profesional – formimi që ju keni marrë këtu përfaqëson një përgatitje gjithëpërfshirëse për të qenë jo vetëm profesionistë të zotë, por edhe qytetarë të ndershëm dhe aktivë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më humane.
Të nderuar të diplomuar,
Ju vini nga fusha të ndryshme të dijes – nga shkencat humane, te ato sociale, juridike, islame dhe komunikimi. Kjo shumëllojshmëri është një pasuri që pasqyron misionin e Universitetit Bedër për të kontribuar në zhvillimin e gjithanshëm të vendit tonë. Por, pavarësisht disiplinës që keni ndjekur, ajo që ju bashkon është fryma e përkushtimit, e dijes me përgjegjësi dhe e vlerave të ndërtuara mbi themele të qëndrueshme etike.
Në këtë udhëtim të dijes, është me rëndësi që gjithmonë të mbani parasysh porosinë profetike: “Më i miri ndër ju është ai që u sjell dobi të tjerëve.”
Dija nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të kontribuar për të mirën e përgjithshme, për të ndriçuar mendjen dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe bashkëjetese.
Shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë stafin akademik e administrativ të universitetit, për përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin që kanë treguar në misionin e tyre fisnik. Po ashtu, një falënderim i veçantë shkon për prindërit dhe familjarët që kanë qenë mbështetja më e fortë për këta të rinj përgjatë viteve të studimeve.
Të dashur të diplomuar,
Le të jetë kjo ditë një pikënisje drejt një angazhimi më të madh profesional, shoqëror dhe shpirtëror.
Ju uroj që vlerat që keni përvetësuar në auditorët e Bedërit t’ju udhëheqin në çdo hap të jetës suaj.
Zoti ua begatoftë rrugën dhe i bëftë përpjekjet tuaja të dobishme për vetveten, për shoqërinë dhe për të ardhmen e këtij vendi.
Ju uroj nga zemra: suksese të mëtejshme, jetë të ndershme dhe kontribut të frytshëm kudo ku do të shërbeni!
Faleminderit dhe urime diplomimi!











