Feja islame është një tërësi rregullash dhe parimesh të përcaktuara nga Allahu xh.sh., të cilat kanë për qëllim ngritjen dhe përsosjen e njeriut në çdo aspekt, duke e shtyrë atë drejt së mirës absolute. Ajo përbëhet nga bazat e besimit, konkluzionet praktike, adhurimet dhe morali. Një besimtar apo besimtare myslimane, ka nevojë të ketë së paku njohuritë themelore fetare për jetën e tij adhurimore dhe të njohë detyrimet e veta fetare.

Ky libër u përgatit nga një grup punonjësish prej tri bashkësive islame shqiptare, përkatësisht Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, pas vendimit të marrë nga prijësit e këtyre institucioneve për hartimin e një ilmihali të përbashkët. Ky botim, i cili përmbannjohuri themelore të fesë islame, synon të ndihmojë myslimanët shqiptarë dhe ata shqipfolës që të njohin e mësojnë fenë islame dhe praktikat e saj në jetesën e përditshme.

Libri i ilmihalit, në të vërtetë, paraqet leksikun e bazave themelore fetare dhe të udhëzimeve për përshtatshmërinë e myslimanëve dhe, si i tillë, ka për qëllim që t’i ofrojë besimtarit informacion të përmbledhur në lidhje me çështjet e besimit dhe adhurimit. Përmbledhja që keni në duar është produkt i një pune të përbashkët e të gjatë, që është mbështetur mbi bazën e një literature shumë të gjerë dhe mbi rezultatet e mendimet e rrahura ndër shekuj, por që këtu këto mendime janë dhënë, – e natyrshme për një ilmihal, – në mënyrë sa më të thukët dhe më të qartë.

Ky ilmihal është bazuar në medh’hebin (shkollën juridike) hanefi, për faktin se kjo shkollë ka shtrirje të madhe dhe mbizotëruese në trojet tona, ndër besimtarët tanë dhe për faktin se ajo, njëherazi, është edhe shkolla juridike zyrtare e tri bashkësive tona islame. Pikërisht për këtë, është bërë përpjekje maksimale që të gjitha dispozitat ligjore të shtjellohen sipas metodologjisë dhe parimeve të kësaj shkolle juridike.

Për hir të së vërtetës, le të theksojmë faktin se dallimet në mendime, mes shkollave juridike, nuk janë në bazat e fesë, por në detaje teknike nga praktika në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Nga ana tjetër, të gjitha mendimet janë pranuar si një pasuri e vyer për besimtarët dhe gëzojnë respektin ndërshekullor nga të gjithë dijetarët.

Lusim Allahun, Zotin e Gjithësisë, që ta bëjë sa më të dobishëm këtë botim për të gjithë myslimanët e trojeve tona e më gjerë dhe të na bëjë të qëndrueshëm në udhëzimin e tij në këtë botë kalimtare.