Rreth ligjëratave të H. H. Ismet Dibrës, “A ka dyshim në qenëjen e Zotit?”

Ismet DibraNdër dijetarët e shquar shqiptarë në fushën e komentimit të Kur’anit është edhe Hafiz Haxhi Ismet Dibra . Disa nga komentimet e tij janë botuar në vijimësi në revistën “Zani i Naltë” të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, nën një titull që është një pyetje retorike: “A ka dyshim në qenëjen e Zotit?”. Ndonëse më shumë se para 80 vjetësh, komentimet e tij janë mjaft moderne e mjaft aktuale. Njeriu mëson shumë edhe tani. Me argumente nga Kur’ani e me shembuj nga zbulimet shkencore, ai vërteton për një “mendje të vërtetë” (fjalët në thonjëza janë të tijat) se Allahu ekziston dhe është vetëm Një Zot.
Komentimet e H. I. Dibrës nuk janë vetëm për elitarë e lexues të formuar, por edhe për të tjerë. Ato janë njëherësh edhe popullarizuese. Në to nuk ka deklarime të thata fetare, por argumentime e interpretime teologjike – shkencore. Ai bën thirrje të hiqen syzet e errëta e të shihet e vërteta. “Me syze të errëta, – thotë ai, kurrë nuk mund të shikohet e vërteta”. Besojmë të jenë të mjaftueshme disa nga ajetet që janë përmendur në komentimet e tij (shih te poshtëshënimi 2).
Komentimet e H. I. Dibrës janë të shkurtra, por aq të shkurtra sa ta japin të plotë e të kuptueshëm thelbin e ajetit a të çështjes. Ai përgatit mjedisin për koment. Paraqit temën e përgjithshme: një pyetje retorike, “A ka dyshim në qenëjen e Zotit?”. Vjen ajet pas ajeti për të na përgatitur për tekstin e tij. Secili tekst i tij lidhet me ajetin të cilit i referohet. Në vijimësinë e tyre mund të rroket pamja e përgjithshme e përmbajtjes së komentimeve dhe përgjigjja: Ka Zot.
Çdo ajet për një argumentim të caktuar jepet me kuptim të veçantë dhe me kuptim të përgjithshëm. Mendojmë se veprohet drejt sepse kuptimi i përgjithshëm e edhe zbatimi i përgjithshëm i një ajeti mbeten të vërteta të përgjithmonshme. Nuk është as zbulimi im e as thënia ime: çdo lexues e studiues serioz i Kur’anit ka kuptuar se sa më shumë që ecën në leximin e studimin e tij, aq më shumë do të gjejë se si ky kuptim i përgjithshëm rritet duke u rritur aftësia e tij për t’i rrokut gjërat. Është si rasti i një alpinisti që, sa më lart ngjitet në mal, aq më larg sheh. Komentimet e H. Ismet Dibrës janë një udhërrëfyes në ngjitjen tonë alpinistike.
Autori ndjek edhe komentues të tjerë – Hafiz Shirazin e Imam Gazaliun etj., por ka sjellë edhe mjaft gjykime të veta origjinale me vlera të konsiderueshme. Ai ka sjellë interpretime, komentime e shpjegime të qëndrueshme. Disa nga këto komentime e shpjegime mund të cilësohen me vlerë antologjike. Përveçojmë: ringjallja fizike e njeriut edhe me mollëzat e gishtave; përngjizja e botës; trupa të shkëputur nga amat e tyre; Islami si fe mendore; premisat e ekzistencës; ç’është hipoteza; yjet; hetimet e zbulimet zoologjike; skepticizmi; paganizmi; myslimani të përmirësojë e të plotësojë të dyja jetët etj.
H.Ismeti përdor dijet e shkencës. Ai merret me shkencëtarë të mëdhenj në polemikën e tij – me Dekartin e Njutonin, Maks Mylerin e Volterin, Demokritin e Pirhonin, Spenserin e Losipin, Aristotelin e Platonin etj. dhe i lë kokulur. Ai thotë se shkenca nuk ka zbuluar më shumë se ç’thotë Kur’ani.
Filozofemat islame e termat kur’anorë shkencorë (të botanikës, të zoologjisë, të matematikës, të astronomisë, të gjeografisë, të fizikës, të optikës, të akustikës, të filozofisë etj.) ajet, sure, Njitim, Ahiret, i Plotmëshirshëm, monoteizëm, politeizëm, dualizëm, sofizëm, dogmë, botëkuptim doktrinë sociologjike, tezë, hipotezë, entitet, polenizim, fekondim, fiziolog, meteorolog, algjebër, trigonometri, atom, amë (trupa të shkëputun nga amat e tyne), eterik (atome eterike), korelacion, proporcion, atomistik (teorika atomistike),çiftëzim,eliptikë (eliptika e diellit),atraksion (ligji i atraksionit), subjektiv, objektiv, yje me dritë, yje pa dritë etj. e bëjnë tekstin e tij ligjërim të mirëfilltë shkencor.
Komentimet e H. I. Dibrës janë një ese e fuqishme teologjike-filozofike. Në këtë a atë shkallë duket karakteri polemik, karakteristik për esetë që fillojnë me pyetje retorike. Konstruktet pyetëse ekspresive edhe më tej, me cilësi retorike e përforcuese-emocionuese e rrisin tonin e esesë. Stili i polemikës kërkon, siç dihet pyetje retorike, antiteza e antonime, aforizma, sinonime e epitete, citime nga kundërshtari e, ndoshta, edhe ironi a diskreditim të kundërshtarit etj. Ai përdor të parat , por jo të fundit. Ai nuk e ironizon e as nuk e diskrediton kundërshtarin, sepse s’kishte nevojë, sepse ishte i mjaftueshëm argumenti (ajeti) i Kur’anit dhe argumentimi i tij teologjiko-shkencor, por edhe sepse kishte etikën fetare-shkencore. Ai nuk e përdor maksimalizmin stilistik të hiperbolizimit sepse as Kur’ani, as argumentimet e tij nuk kishin nevojë për zmadhime; e vërteta nuk ka nevojë të zmadhohet. “Islami, – thotë ai, – asht fe mendore”.
Ia donte puna e komentimit H.I. Dibrës që ajetet kur’anore t’i përkthente. Në këtë mënyrë, ai është edhe përkthyes Kur’ani. Përkthimi në shqipe bëhet krahas tekstit në arabishte. Njihen vështirësitë e përkthimit të arabishtes kur’anore, si gjuhë klasike e stilit të lartë. Megjithatë, teksti në shqipe nuk është një zëvendësim i thjeshtë i kësaj a i asaj fjale të arabishtes, por shprehja më e saktë për kuptimin më të plotë që ka rrokur H.Ismeti nga teksti arab. Ai është munduar, vërtet që gjuhën shqipe ta bëjë “gjuhë islame”.
Hafiz Ismet Dibra fliste e shkruante në variantin letrar të gegërishtes. Në ligjërimin e tij nuk ka elemente të gjuhës së folur bisedore, as të idiolektit të tij, as krahinorizma fonetikë të së folmes së tij, sepse ai e dinte se kështu do të humbiste pesha e argumentimeve, kurse në përkthimin e ajeteve do të humbiste stili i lartë i arabishtes kur’anore. Autori shfrytëzon fjalë të gjithëpërdorshme të shqipes: i shtangët (ti shikon malet që duken të shtangët), të madh (perëndia me të madh të vet), mollëz (mollëzat e gishtave), pajoj (Zoti pajoi me mend), tërthoras (paralajmëron tërthoras), lagje (nji lagje atomesh), krahinë (të gjitha krahinat e botës), nuse për nimfë (në zoologji), motmot, shpërngulet (në zoologji) etj. Ndonjëherë përdor ndonjë fjalë të së folmes së tij (dibranishtes), por jo variant të saj fonetik (livroj “lëviz”: Dielli livron), që jo vetëm nuk e dëmton aspak kontekstin e tij, por është edhe me vlerë letrare potenciale për gjuhën standarde.
H.Ismet Dibra ishte njohës i thellë i gjuhës amtare e ka krijuar ose gjetur fjalë me brumin e shqipes e sipas rregullave të saj fjalëformuese; shih, p.sh.: diktim (zbulimet dhe diktimet e reja), i parakaluem (libra hyjnorë të parakaluem, i përngjizun (bota asht e përngjizun nga…), paravumje, përzanëse, i prejshkaktuem (fenomene që u njohën si të prejshkaktueme), patundshmëni, paurtësi, profetí etj.
Kujdesi i H.Ismet Dibrës për pastërtinë e gjuhës duket që tek titulli i ciklit të ligjëratave të tij. Ai nuk pëlqen fjalën e huaj ekzistencë, por fjalën shqipe qenëja; në vend të teuhid parapëlqen termin shqip njitim e në vend të insekt, kandërr etj. Edhe kur përdor ndonjë fjalë të huaj, H.Ismet Dibra e përball me fjalën a me shprehjen shqipe në kllapa: bon-sensi mendja e vërtetë; Ahiret jeta e amshuar; aksident e papritur; individualitet vetësi etj.
Sigurisht, për arsye gjuhësore dhe jashtëgjuhësore që dihen, nuk mund t’i kërkojmë H.Ismet Dibrës në vitet ’30 të shekullit të kaluar të mos përdorte polenizim, fekondim, korelacion, proporcion, korpuskul, atraksion, divinitet etj., por përkatësisht pjalmim, pllenim, bashkëlidhje, përpjesëtim, rruazë, tërheqje, hyjnorësi etj., por mendojmë se mund t’u ishte larguar disa fjalëve të huaja të panevojshme, sepse e ka njohur fjalën shqipe, e ka edhe raste kur e përdor vetë diku tjetër në tekst: eternel për i amëshuem (jeta eternele), konviksion për bindje, evident për i qartë, deduksion për përfundim etj. Mund të ishin shmangur edhe fjala hyjnor (dekret hyjnor etj.) dhe Perëndi. E para lidhet me hyjninë. Si hyjnia, ashtu edhe perëndia nuk e shenjojnë saktë konceptin Allah; hyjnitë e perënditë janë shumë; Allahu është vetëm Një. Megjithatë, këto dy vërejtje nuk e cenojnë aspak penën e tij të fuqishme dhe argumentimin e tij të fuqishëm.

nga Prof. Dr. Hajri SHEHU

Marrë nga nr. 1 i Revistës Zani i Naltë, tetor-nëntor-dhjetor 2012.