hafiz-ali-krajaPortret ndër pasqyra: Hafiz Ali Kraja (Tari) 1900 -1973

1.

“Hafiz Alia ishte një hoxhë i pashëm, me një shtat të hajthëm, imcak, mbi mesataren. E mbante veten me shumë sqimë e elegancë në veshje”. Kështu e mban mend në vitet `30 Hafiz Aliun bashkëkohësi i tij, kleriku i mirënjohur Vehbi Ismaili. Ky përshkrim është ndër të paktët që ndeshet dhe i përket viteve antimonarkiste, kohë kur u burgos (1936) nga autoritetet e mbretërisë e më pas u lirua në gjyq, si pasojë e një krize të fortë nervore.

Vite më vonë, më 1947, një tjetër dëshmitar, Ejëll Çoba, e përshkruan kështu Hafiz Aliun në librin e tij memuaristik “Jetë e humbun”: “Edhe dyqani i Ulqinakëve ishte transformuar në burg… makina priste … Prej andej doli Hafiz Ali Tari (Kraja) i veshun me xhybe, që mbante në krye një fes të zi pa çallmë. Si gjithmonë, i pastër, me një mjekërr të shkurtër e të mbajtun mirë. Edhe në atë rast nuk i mungonte nji buzëqeshje e lehtë, që i jepte fytyrës nji gjallni inkurajuese. E kisha njohë Hafizin edhe ma përpara. Më kishte dhanë përshtypjen e nji njeriu të kandshëm, optimist, me një farë kulture, që kishte qejf me vu në pah. Orvatej dhe deri diku kontribuoi për nji farë marrëveshje midis Sylçe beg Bushatit e Gjon Marka Gjonit. Në fillim të pushtimit italian u tregue filoitalian. Kishte qenë në dijeni të komplotit antizogist, që do të pranonte për mbret nji princ nga shtëpia e Savojës. Kur doli puna ndryshe, ashtu si Shuk Gurakuqi, nuk pranoi të shkonte në asamable për t`i dhanë kunorën Viktor Emanuelit. Kur Italia po kalonte ditët e fundit në Shqipni, deshën ta internonin, por ardhja e gjermanëve e shpëtoi”1.

Ka një pasaktësi të vogël në kujtimet e Ejëll Çobës: Hafiz Ali Krajën jo vetëm që e internuan italianët në verën e vitit 1943 në Porto-Palermo, por e internuan bashkë me të atin dhe dy vëllezërit.

Edhe At Zef Pllumi në kujtimet e tij pohon: “Hafiz Ali Tari (Kraja) ishte njeri i madh për kohën e padyshim njeni ndër hoxhët ma të dijtun. Kishte përfundue studimet universitare në Kajro – Egjipt – dhe njihej si një teolog mysliman që dinte shumë gjuhë dhe ishte gojëambël. Në vitin 1939 ishte caktue edhe ai në delegacionin për të çue kunorën prej Shkodre dhe, siç e tregon vetë Hafizi, nuk shkoi për meritë të atë Anton Harapit. Kujtohej shpesh fjala e mbajtun prej tij me rastin e vdekjes së atë Gjergj Fishtës. Në bindjet politike ishte antizogist dhe i lidhun shumë me anën katolike, sidomos me françeskanët; simpatizonte malësorët e veriut. Pjesëmarrës në jetën politike që në rininë e tij kalon mjaft vështirësi e rreziqe. Arrestohet që në vitet e para (komuniste) dhe akuzohet randë: rrezikon edhe pushkatimin. Edhe në burg mbeti ndër miqtë më të mirë të katolikëve çka nuk shihej mirë nga ana e fanatikëve në burgun e Burrelit. Shpëton duke vuajtur mjaft vite burgu…”.

Çfarë kishte thënë Hafiz Aliu që i mbahej mend fjala në varrimin e dhimbshëm të Atë Gjergj Fishtës më 1940? Ai i drejtohen poetit të vdekur në vetën e dytë bisedore:

“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me Lahutën e Malcis ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.

Realiteti politik e nacionalist, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë e atyre viteve ka qenë lexuar përmes atdhedashurisë dhe jo vetëm prej klerit katolik: elitat fetare myslimane, që kishin mbijetuar luftrat e mbijetesës nga Besëlidhja e Prizrenit në mbrojtje të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tivarit dhe Ulqinit, ashtu siç paraqiten organikisht në bashkëveprim, pa dallime fetare në “Lahutën” e atë Gjergj Fishtës , luftonin në një front për mbrojtjen e tokave shqiptare. Sigurisht, realiteti i luftrave për mbijetesë nacionale me ushtritë serbo-malezeze, duhet të ketë mbetur i ndezur në vatrën familjare ku u rrit dhe u edukua Hafiz Aliu-fëmijë. Duke qenë kufitarë dhe duke qenë dëshmitarë të masakrave sllave mbi popullsinë shqiptare, familja krajane e Hafiz Aliut ia kishte përcjellë atij që në vegjëli fatin tragjik që i pret popujt jetimë, pa shtet. Por jo vetëm Hafiz Ali Kraja; në lagjen ku u rrit hafizi, në atë mëhallë mes bahçesh pafund e me rrugë që dredhonin bri muresh të larta me gurë Kiri, u rritën edhe klerikë të tjerë të nderuar  myslimanë, që nuk i shkëputën fjalët “atdhe” e “fe”, por pa hezituar, disa syresh, u vunë në krye të bashkëqytetarëve të vet në ballafaqim me turq e sllavë, siç kanë qenë rastet e Haxhi Idriz Boksit, Sheh Alisë e Hafiz Musa Dërgutit. Tradita qytetare shkodrane ka qenë dhe fole e klerit patriotik mysliman, djep dhe sofër njerëzish të ditur e atdhetarë, si Sali Myftiu (plaku dhe i riu), Hafiz Ibrahim Repishti etj. Edhe klerikët myslimanë e kishin të ngulitur fort në vetëdije binomin “Për atdhe e fe”, të njëllojtë si priftërinjtë françeskanë të Shkodrës. Marrëdhëniet mes klerit mysliman e katolik kanë qenë gjithnjë të njëjta në pikëpamje të atdhedashurisë, madje edhe në ferrin komunist, përkundër perçarjeve dhe inskenimeve nëpër hetuesi e burgje, nuk ia arritën t’i kundërvinin kundër njëri-tjetrit; përkundrazi, pikërisht në atë pikë të ferrit, ata përjetuan përvojën mortore të kundërshtarit të vërtetë. Është krejt tjetër punë tendenca për të manipuluar dhe për të bërë alibi sot, se gjoja komunizmi paskësh qenë më mizor me katolikët e më i butë me myslimanët.

Janë dy pasazhe të shkurtra të nxjerra nga “Shënimet” e Hafiz Ai Krajës, nga të cilat kuptojmë se si e kishte bërë ai bilancin e jetës së tij të trazuar, me një “credo” të ngjeshur e të shkurtër: “I jap llogari, më parë, të lumit Zot, gjyqi i Tij asht ma i randsishmi!” dhe: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”.

Hafiz Ali Kraja ishte një nga figurat kyçe e moderatore të elitës intelektuale islame. Ideali i tij ishte të shihte një shoqëri harmonike të bazuar te respekti për besimin e njëri-tjetrit dhe se vetëm mbi themelet e harmonisë fetare mund të shpresohej përparimi shoqëror, njeriu cilësisht etik, suksesi i tij me bazë etike, me një botë shpirtërore të pasur, të ndriçuar duke eleminuar konfliktet me besimin e tij tek Zoti.

Komunistët e konceptuan terrorin kundër fesë në dy periudha: deri në vitin 1967 u bë likuidimi fizik dhe organizativ i klerit, ndërsa mbas kësaj periudhe u vazhdua me program likuidimi total i objekteve të kultit, duke mos kursyer as ato që konsideroheshin monumente të kulturës. Në fund të kësaj ploje nga 1306 hoxhallarët ekzistues, mbetën fare pak të mbijetuar. Mjafton të kujtojmë se në vitin 1945, sipas statistikave të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, në gjithë territorin shqiptar kishte: 1127 xhami e 17 shkolla-medrese që u rrafshuan pothuajse të gjitha. Janë mbi 60 klerikë myslimanë të persekutuar e ndër ta, ka të pushkatuar. Hafiz Ali Kraja është pjesë e kësaj ploje bashkë me Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Hafiz Ismet Dibrën, Hafiz Sabri Koçin etj.

Në vitin 1965, pas 3 vitesh ilegalitet dhe 18 vitesh burg, Hafiz Ali Kraja u lirua. Të nesërmen i shkon në shtëpi për kafen e urimit, Patër Mëshkalla, një prift i njohur françeskan, i cili më vonë u arrestua dhe u pushkatua. E pyet patër Mëshkalla:

–  Hafiz Ali, ç`kemi ndonjë të re nga burgu i Burrelit?

– Nuk ke me kënd me bisedue, pater! Kanë dekë të tanë!

Si duket, përgjigja e Hafiz Aliut përkon me etapën e parë të spastrimeve komuniste: likuidimin fizik të klerit shqiptar…

2.

Kush ishte Hafiz Ali Kraja? Çfarë përfaqësonte dhe cili ishte botëkuptimi dhe vizioni intelektual i këtij martiri të klerit mysliman të Shkodrës, i burgosur nga Zogu, nga italianët dhe përfundimisht, i persekutuar deri në ditët e mbrame nga diktatura komuniste?

I lindur në vitin 1900 në një familje intelektuale e tregtare-manifakturiste të malësisë së Krajës, që ishte shpërngulur në qytetin e Shkodrës fill pas problemeve tragjike që sollën vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), duke lënë jashtë kufirit shtetëror shqiptar krahina të tëra dhe qytete shqiptare  nën mbretërinë Jugosllave, Hafiz Aliu kreu shkëlqyeshëm studimet fillore në Shkodër, çka i hapi udhën studimeve të mëtejshme në Kajro, në një prej qendrave me të njohura universitare të kohës, siç ishte Universiteti i El-Ez–Herit. Hafiz Aliu e kreu këtu gjithë ciklin e formimit të tij teologjik e filozofik dhe pas përfundimit të fakultetit të shkencave Islame u kthye në qytetin e lindjes.

Iu ofruan shumë poste në Tiranë, ndër to edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Zani i Naltë”, por ai parapëlqeu të shërbejë kryesisht në qytetin e lindjes.

Në personalitetin e tij, që në të ri, krahas zgjuarsisë, përkushtimit fetar, kulturës universale (ai zotëronte 6 gjuhë të lindjes dhe perëndimit), spikat një veçori e pazakontë për një klerik: pasioni për politikën. Krahas aktivitetit shkencor fetar, aktiviteti politik do ta shoqërojë Hafiz Aliun që në rini. Është veçse 33 vjeç kur shkruan veprën “A duhet feja? A e pengon feja bashkimin kombëtar”, një vepër ku gërshetohet analiza e hollë e fakteve me argumentin filozofik e teologjik, duke kombinuar çuditshëm erudicionin fetar kuranik, me traditën e filozofisë së lashtë, klasike e postklasike. Referencat e shumta nga sofistët, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Dekarti, Spinoza, Lajbnici, Rabie, E. Spenser, Byshner, Shopenhauer e deri tek Gystav Lë Bon ndërthuren vazhdimisht me filozofët e lindjes, komentatorët e Kuranit dhe thëniet e profetit Muhamed (a.s).

Hafiz Aliu ishte ithtar i idesë së Gazaliut, dijetarit të madh islamik, se politika është ndër më të naltat e më të çmueshmet dije, prandaj mbrojti idenë, se njerëzit e politikës trashëgojnë cilësitë e Zotit sepse mbajnë rendin dhe drejtësinë, që janë aq të domosdoshme për zhvillimin e një kombi e të një shteti. Ai shkruan, se vetëm feja, vetëm individi i mbrujtun me zjarrin e besimit fetar është në gjendje të ëndërrojë për të mirën dhe të jetë garant i drejtësisë. “Feja islame, thotë Hafiz Aliu – të mirën (hajrin) e gjen vetëm në njohje dhe në adhurim të së drejtës; aty ku nuk qëndron e drejta nuk kundërmon asnjë e mirë; feja Islame këtë e konsideron si një dëm. Ja, prej këtyre shpjegimeve kuptohet se fanatizmi nuk pajtohet me Islamin”. Frika e tij për shpërthimin e epidemisë ateiste (sikundër më vonë, dublimin e ateizmit me komunizëm) Hafiz Aliu e shpreh që në parathënien e librit të tij: “Këtë parathanie të shkurtë po e mbyll tue iu lutë të madhit Perëndi me e ruejt popullin shqiptar prej ateizmit, që asht nji humnerë e rrezikshme për komb e atdhe”.  Në kapitullin “Islami dhe ateizmi” ai shprehet: “Çdo mysliman më parë se çdo gjë beson se “Gjithësia është vepër e një Krijuesi”. Me argumenta të mprehtë Hafiz Aliu polemizon me pikëpamjet pozitiviste e ateiste mbi moralin dhe disiplinën si përbërës të ndërgjegjes. Ai argumenton se të gjitha ndërgjegjet e formuara prej burimesh jofetare, të shpien pashmangësisht në konflikt: “Njeriu nga natyra është narcisoid dhe kur gjen rast dhe mbetet i lirë prej vërejtjeve të ligjit ose disiplinës, ai vepron sipas ëndjes së vet. Pra, për ta ndaluar dhe për ta ruajtur prej të këqijave, e vetmja fuqi është disiplina fetare”. Sepse, sipas tij “Morali fetar është një moral filozofik”. Për Hafizin, ndërgjegjja e vërtetë është ndërgjegjja fetare, përndryshe morali i saj është i dyshimtë. Hafizi citon Herbert Spenserin kur thotë: “Urdhrat e moralit në ditët e sotme janë duke sjellë fuqinë e cila përcillet vetëm nga burimet e shenjta. Rreziqet më të mëdha vijnë kur morali fetar merr tatëpjetën”. Hafiz Aliu i sheh me dyshim të gjitha përkufizimet që i bëjnë ndërgjegjes si domethënie. Ai citon filozofin Edmond Golbot në definicionin e tij mbi ndërgjegjen, që e cilëson atë si “Shqisa për ta ndarë të mirën nga e keqja”. Por Hafiz Aliu shkon më larg duke përkufizuar vetë moralin e ndërgjegjes: “Ajo që përcakton moralitetin ose imoralitetin e një vepre nuk i përket mendjes, por kjo është detyrë e ndërgjegjes. Mendja është një dëshmitare e cila e dikton të mirën prej të keqes, kur ndërgjegjja është sunduese”. Por Hafiz Aliu pranon se ndërgjegjja është gjithmonë konfuze, ndaj ajo duhet të ketë një prijës të ndritshëm: “Që ndërgjegjja të mund të jetë e fuqishme, duhet të ketë lidhje me një burim të shenjtë, përndryshe ndërgjegjja, e cila kuptohet prej sofizmave dhe smirave personale, nuk mund të veprojë si duhet. Ky prijës i ndërgjegjes mund të jetë vetëm Feja dhe se një moral i ndërtuar vetëm mbi ndërgjegje personale, pa pasur prijës Fenë, nuk mund ta ketë vulën-përulëse”.

Ndërsa kur komunizmi qe shndërruar në lëvizje të kamufluar luftarake, Hafiz Aliu ndërmori predikime fetare të veçanta kundër ideologjisë marksiste-komuniste, siç është fjala e mbajtur para besimtarëve në xhaminë e Fushë Çelës, ku ai iu drejtua audicionit me hytben “Ç`është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar”. Në vitin 1944, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, ai iu vu punës për krijimin e një besëlidhje të përgjithshme, si një front antikomunist, i cili, midis të tjerave, do të hynte në kontakt me forcat aleate dhe do t`u kërkonte atyre zbarkimin menjëherë pas largimit të trupave gjermane.

Parashikimi dhe largpamësia e Hafiz Ali Krajës dolën, mjerisht, të sakta: komunizmi erdhi si fatkeqësi dhe u ngul për gjysmë shekulli në Shqipëri, në variantin e tij më gjakatar e më të shëmtuar stalinist. Ndërsa Hafiz Aliu dhe bashkëmendimtarët e ngjashëm me të, u hodhën në ilegalitet.

3.

– Unë kam thirrë “babë”  në shpi për herë të parë më 12 dhjetor 1965, atëherë kur im atë u lirue prej burgut të Burrelit, – thotë i biri i Hafiz Aliut, Mehdi Kraja, të cilin i ati e la në moshën 2 vjeçare, së bashku me të vëllanë, Asimin 4 vjeçar dhe të motrën, Feleken, 6 muajshe. “Këtë emën “babë” e kisha shqiptue në moshë të rritun edhe ma parë, por vetëm përmes hekurave të burgut”.

Fill pas dorëzimit, si shumë “ilegalë” të regjimit komunist, Hafiz Aliu u dorëzua me rastin e amnistisë që nxori partia-shtet në vitin 1946. Përkundër premtimit se do t`i falnin, dhuna e verbër e komunistëve nuk kurseu asnjërin: në sallat e gjyqit dhe në rrugë, antikomunistët, intelektualët, tregtarët, ish-funksionarët e qeverive të mëparshme e sidomos klerikët, nën thirrjet e turmës histerike “Tradhtarët në litar!” – u pushkatuan apo u burgosën me vite të gjata nën një terror çnjerëzor e të pakrahasueshëm.

Hafiz Ali Kraja qëndroi kambë e duar i lidhur me Ejëll Çobën, gjithashtu i dorëzuar më rastin e asaj kinse amnistie. Ndërsa që me datë 24/10/1945, kur Hafizi qe arratis, Komisioni i Posaçëm për Konfiskimin e Pasurisë së të arratisurve dhe të të dënuarve politikë, nëpërmjet një urdhëri të lëshuar nga Këshilli NÇL i Prefekturës së Shkodrës e ka futur në listën prej 28 emrash Hafiz Ali Tarin (Kraja), të cilëve do t’u konfiskohet pasuria e tundshme dhe e patundshme: Hafiz Aliu është në këtë listë i 23-ti.

“Policët, që erdhën për konfiskim, – thotë Mehdiu, – morën tekstualisht gjithçka, deri dhe lampadarin, madje dhe portollampën. Atë natë u shtrimë me fjetë për dysheme e mbetun lakuriq, pa dyshekë, pa jorgan… leri mobiljet! Shpia jonë e vjetër ishte e madhe, tre katëshe, me telis: baba kishte mobilu me shije e merak të madh dy dhoma me orendi të zgjedhuna: njënën allafranga e një tjetër allaturka. I morën të gjitha.

Familja e Hafiz Aliut, siç merret me mend, mbeti në mëshirë të fatit, me tre të mitur nën kujdesin e nanë Zenepes e gjyshes, sepse edhe xhaxhallarët aso kohe, Hushi dhe Maliqi, qenë arrestue. Që të dy provuan tortura të tmerrshme në hetuesi, që të tregonin ku ishte fshehë i vëllai, kaluan edhe në karrige elektrike, por nuk treguan. Tregon Mehdiu: “Filluen me e torturue dhe nanën, por deshti Zoti dhe ndërhyni Bahri Kopliku, që ishte mjeku ligjor, i cili i jepte raport, si e sëmundë me zemër dhe ata kishin frikë mos u mbetet në dorë. Por ata shpikën nji torturë edhe ma të tmerrshme… Ka kenë nji hetues xhahil, nji Durlaq Lekiqi… Ai na merrte ne, dy vllazënve, dha para syve të nanës na përplaste krenjat me njeni-tjetrin, që kjo, tue mos e durue atë mizori, të mujtte me tregue. Kështu përditë… Atëherë lagjja, sa herë na shifte me nanën se na shtinin në makinën e Durleq Lekiqit, dhe mandej kur dilnim, krenjat tona të enjtuna e me xhunga, filloi me sajue… sapo shihnin se po vjen makina e tij në lagje, vraponin dhe na fshihnin… përfytyroni… unë isha rreth 3 vjeç, e vllau em katër e gjysëm. Na i përplaste krenjat fort… ne na binte të fikët ai zgërdhihej (sot i biri është anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës!). Prej asaj dite asht kujdes lagjja. Kaspi na e jepte mishin pa pare. Dyqanxhinjtë e furxhiu po ashtu. Në rrugë e në shkollë jemi rritë nën thirrjet përbuzëse: “bijtë e armikut të popullit!”. Nuk kishte natë që në shtëpinë tonë të mos vinte kontrolli. Që i njomë fillova me mësu e me punu zanatin e marangozit. Që në fillim, pa përvojë, këputa dy gishtat e njënës dorë… ashtu kam punue tan jetën. Motra u fut në një kurs rrobaqepsie, por s’mundi me e mbarue, se e dëbuen si “e prekur”. Të tanvet na ka rritë nana me majën e gjylpanës. Ishim familje e madhe, por nanës i kishte falë Zoti nji dhunti: ajo ishte rrobaqepse e zonja dhe bante jorgana.

Gjatë kohës para dorëzimit, Hafiz Ali Kraja gjendej i strehuar në familjen patriotike të Esat Lezhës, bashkë me nacionalistin antikomunist, Hamdi Sinanaja. Rrinin të fsheun në bodrum. Ata i kishin dhanë besën njeni-tjetrit me mos ra gjallë në duart e komunistave. “Njëherë, tregon Mehdiu, dikush i rrethit familjar kishte spiunue. Erdhën kontroll dhe e bastisën shpinë. Ata (sigurimsat) kërkonin bodrumin, por nuk po gjenin kapanxhën… dhe nuk e gjetën. Nuk u shkoi ndërmend, se kapaku gjendej bash në votrën e zjarrmit. Gjatë kohës që vazhdonte kontrolli, Baba dhe Hamdiu, që i kishin dhanë besën sho-shokut se nuk do të binin gjallë në duert e komunistave, rrinin në gjunjë përballë njeni-tjetrit me kuboret e puquna në tamthat e njeni-tjetrit. Në rast se kapaku hapej, ata njikohësisht do të shkrehnin koburet në tamthat e njeni-tjetrit… Për fat, nuk e gjetën kapakun”.

“Ngjarja ma e randë, tregon Mehdiu, ka qenë përjashtimi nga gjimnazi. Në ato ditë na erdhi dhe lajmi i internimit tonë familjar në Bajram Curr. Atje në fillim mezi i shpëtuam vdekjes. Kemi banuar në një dhomë të errët mulliri. Sa herë binin shirat, uji vërshonte dhe përmbytte krejt dhomën. Ma vonë u zuna për pune dhe fillova me fitue. Pikërisht atëhere i thashë nanës: boll je robtue vetë, tue i ra mbas babës. Tash jam rritë vetë. Do t’ia blejë vetë babës ushqimet dhe do shkoj ta shof vetë. Kështu vazhdova, deri kur baba u lirue… “.

“Edhe para se me u rritë e me e njohë babën tem, më kishin thanë, se tan ditën e lume e nji pjesë të natës e kalonte në studion e tij, që i thirrshin “oda e qitapëve”. Dhe e thirshin vetëm në vaktet e ngranies. Të njajtën situatë të tregueme, e mbrrina vetë, kur baba ishte kthye prej burgut: kohën e kalonte mes leximeve. Por mbrriti vjeti i mallkuem i 1967-ës dhe baba u kthye prej nji mbledhje ku e kishin thirrë në lagje, ata të organizatës. Ishte i zbehtë dhe tha me të pëshpëritun: kjo asht mordja ma e keqe! Organizata e lagjes e kishte urdhnue, që të nesërmen duhej të rruente mjekrrën dhe të dorëzonte bibliotekën. Kjo për te ishte vdekja ma e randë! Biblioteka vlerësohej me 700 napolona ar, nji ndër bibliotekat ma të mdhaja në Ballkan. Pjesa ma e madhe e librave shkoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Nji ndër ata që zgjodhi libra me i marrë për vete ka kenë Jup Kastrati, i njohun për marrje të librave edhe prej bibliotekave të konfiskueme të priftave françeskanë. Kishte pse me ardhe keq: ishte biblioteka, bashkë me atë të myftive të tepes, ma e pasuna. Kishte mija libra në gjashtë gjuhë: libra teologjikë, filozofikë, artistikë. Mue mu dha me terhjekë nja 700 kopje të librit “A duhet feje, a e pengon bashkimin kombëtar”. Hapa një gropë, i mbështolla me mushama dhe i groposa. Mbi të mbolla nji fik. Kur e kam çelë gropën, munda me nda vetëm 17 kopje në gjendje të mirë. Pjesa tjetër qe kalbë.

[1] Çoba Ejëll “Jetë e Humbun”, fq. 26, Tiranë 2010.

nga Agron TUFA (start)