Dijetari, atdhetari, muhaxhiri në rrugën e ruajtjes së Islamit

Sulejman Gavoci

“Në vitin 1913, kur Shkodra u rrethua nga forcat serbe e malazeze, Hafiz Halil Gavoçi dhe Haxhi Hafiz Sulejman Gavoçi, babë e bir rrokën armët e dolën vullnetarë për mbrojtjen e qytetit nën komandën e Hasan Riza Pashës. Si shumë qytetarë të tjerë ata u dalluan për trimëri, sa edhe fituan falënderimet e komandantit të shquar, Hasan Rizasë dhe dashamirësinë e bashkëluftëtarëve”.[1] “Njihen trimëritë e (Haxhi Hafiz) Sulejman Gavoçit e të tjerëve, që me armë në dorë luftuan për mbrojtjen e trojeve të të parëve të vet”.[2]

Muhadithi kosovar Shejh Abdulkadir Arnauti (1928-2004), duke shkruar për mësuesin dhe hoxhën e tij, Haxhi Hafiz Sulejman Gavoçin, ndër të tjera përmend: “Sulejman, i biri i Halilit, Gavoçi, Shkodrani, Shqiptari. Lindi në qytetin e Shkodrës, në Shqipëri dhe u rrit në të, ku mori edhe mësime nga dijetarët e atij vendi, ku mund të përmendet: Hafiz Jusuf Abdullah Këlmendi, që i qëndroi pranë disa kohë dhe mësoi në duart e tija: Fikhun Hanefi, Gramatikën arabe, Morfologjinë arabe, Retorikën arabe, Tefsirin dhe Akiden (besimin).

Emigroi nga vendi i tij për në Damask dhe jetoi në lagjen Divanijje (lagjja e shqiptarëve). Për një kohë të caktuar mori përsipër detyrën e imamit në xhaminë e Omerijes, si zëvendës i myftiut Shejh Muhammed Shukri el Ustuvani.[3]

Me ndihmën e bamirësve vrapoi të ndërtonte një xhami në lagjen e tij, Divanije, që e quajti Xhamia e Arnautëve (Xhamiul Arnaut), në të cilën qëndroi imam dhe hatib, derisa ndërroi jetë. U mësoi një numri të madh studentësh, shqiptarë dhe të tjerë. Shkroi një broshurë që e titulloi: “Shpëtimi i besimtarëve në mos përngjasimin me jobesimtarët”, ku përmendi çështjet e kapelës, zbulimit të grave, martesën e jomyslimanit me myslimanen dhe të kundërtën, fotografimin, trashëgiminë, etj.

Kishte pamje të veçantë, respekt para banorëve të lagjes së tij dhe ndikim të veçantë ndër ta. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij, në Divanije, rreth vitit 1378 (h) dhe u varros në varrezat e Dahdahit. Varri i tij njihet edhe sot”[4].

Ndërkohë, vetë H. Sulejman Gavoçi, në parathënien e librit të tij[5] “Shpëtimi i besimtarëve në mos përngjasimin me jobesimtarët”, duke përmendur hoxhën dhe mësuesin e tij Hafiz Jusuf Këlmendi, shkruan:

“Kërkesa më e lartë dhe më e ndershme, është kërkimi i diturive, që është i lidhur ngusht me mësimin dhe mësimi me një mësues të ditur, të ndershëm dhe një murshid[6] të plotë, këshillues. Me këto cilësi të lartpërmendura karakterizohej hafizi i Kur’anit, shërbëtori i Furkanit[7], imami, hatibi, Hafiz Jusuf Abdull-llah Këlmendi, e mëshiroftë All-llahu dhe e pastë në hapësirat e xhenneteve të Tij. Amin, për hatrin e Zotërisë së të Dërguarve!

Atë e zgjodha si mësues dhe ndoqa dersin e tij, për një periudhë të caktuar. E kur All-llahu, më dha mbarësi në plotësimin e diturive logjike dhe teologjike, i kërkova ixhazet mësuesit të lartpërmendur, për t’ia mësuar të tjerëve këto dituri. Pas istihares së bërë, ai më dha ixhazet gojor (ixhazeten melfudhaten)[8].

Dhe fillova, me mbarësinë e All-llahut të Madhëruar, të përhap (këtë dituri) dhe të sjell dobi. Në mexhlisin e këtij të mjeri[9], prezantuan disa të nderuar nga vendi ynë, të cilët e vazhduan atë, derisa, me mbarësinë e All-llahut, përfituan logjiket e teologjiket.

Pas përfundimit të mësimeve, kërkuan prej meje ixhazet, siç më dha mua mësuesi im, dhe u dhashë ixhazet, me gojë e me shkrim, në dituritë logjike e teologjike, me kusht që mos të më harronin asnjëherë pas çdo dersi, me një dobi, kujtim e transmetim, sikurse i këshillova të jenë të ndershëm, të përkushtuar dhe të kujdesshëm. Bëra siç bëri mësuesi im!”[10]

Ixhazeti i Hafiz Jusuf Këlmendit, dhënë Haxhi Sulejman Gavoçit

Ixhazeti që Hafiz Jusuf Këlmendi i ka dhënë nxënësit të tij Haxhi Sulejman Gavoçi, përbëhet nga 16 faqe, brenda dy kapakëve, në formën e një broshure, në kokën e së cilës, në gjuhën arabe shënohet: “Kjo është licenca (ixhazeti) e Sulejman Halil Shkodranit”.

Në faqen e parë të ixhazetit, me një kaligrafi artistike arabe, në pesë rreshta të shkruar me ngjyrë të artë, shënohet: “Kjo është licenca (ixhazeti) ime për Haxhi Hafiz Sulejman Efendiun, sikurse më kanë licencuar Zotërinjtë e mi. Unë jam i varfri Haxhi Hafiz Jusuf Abdyl Këlmendi, All-llahu i faltë të dy!”

Në faqen vijuese shënohet teksti i plotë i ixhazetit, ku pas shkrimit me shkronja të mëdha të besmelesë, muxhizi dëshmon:

“Falënderimet i takojnë All-llahut, i Cili na mësoi atë që nuk e dinim, i Cili na lumturoi dhe na fisnikëroi me mësimin e diturive.

Salavatet dhe selamet janë për Muhammedin, udhëzuesin e popujve, për familjen dhe shokët e tij, që punuan me sheriatin e profetit të nderuar!

Dije, All-llahu të dhashtë të mbarën, ty dhe ne, drejt bindjes së Tij, se shkaku i arritjes së fisnikërive të larta, pozitave të çmueshme, gradave të shndritshme dhe lumturive të përhershme, është dituria e logjikeve dhe të transmetuarave, sidomos atyre të sheriatit, për të cilat i dërguari alejhis-selam ka thënë: “Ai që ndjek një rrugë për të kërkuar dituri, All-llahu do ta çojë drejt rrugëve të xhenetit”, si dhe: “Me të vërtetë melekët shtrijnë krahët e tyre në shenjë kënaqësie për kërkuesin e diturive”, si dhe: “Për dijetarin kërkon falje çdokush në qiej e në tokë, edhe balenat në thellësi të ujit”, si dhe: “Mirësia e dijetarit mbi adhuruesin është si mirësia e hënës, natën e plotësisë së saj, mbi të gjithë yjet”, si dhe: “Zahidi (asketi) adhurues pa dije është si harku pa litar”, si dhe: “Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve”. I dërguari i All-llahut ka thënë gjithashtu: “Ai që mësohet në fenë e All-llahut të Madhëruar, All-llahu do t’i garantojë fenë dhe botën e tij ….”[11]

Në kujtimet e dy dijetarëve dhe prijësve të njohur shkodranë…

Nga shkrimet e Imam Vehbi Ismailit në kujtim të H. Sulejman Gavoçit, shënohet: “Haxhi Sulejman Gavoçin e kam njohur qysh në fëmijëri, meqë im atë Haxhi Ismaili ishin bashkë me të prej ulemave të Shkodrës të njohur dhe të respektuar dhe shkonin e vinin në shtëpitë e njëri- tjetrit.”[12]

Dijetari i shquar Vehbi Sulejman Gavoçi, dashurinë dhe respektin e tij për të atin, e ka shprehur edhe në botimet e tij të ndryshme, ku do të veçonim me përmendje kushtimin e punës së tij në librin voluminoz: “Multekal-Ebhur”, ndër librat bazë të medh’hebit Hanefi, tekstin dhe sqarimet e të cilit H. Vehbiu i ka studiuar dhe verifikuar dhe këtë punë serioze e me vlerë ia ka kushtuar: “Shpirtit të dijetarit, punëtorit, fakihut, sakrifikuesit dhe muhaxhirit në vendet e Shamit me fenë e tij, në mbrojtje të familjes së tij… Atij që ishte xheloz për fenë e tij, shumë i lidhur me fikhun e Imamit të Imamëve fukaha, Ebu Hanifes, e mëshiroftë All-llahu (xh.sh.) dhe qoftë i kënaqur prej tij… Babës dhe hoxhës tim, atij që ka merita të mëdha përmbi mua… Shejh Sulejman Halil Gavoçit, e mëshiroftë All-llahu (xh.sh.) dhe ia shumëfishoftë shpërblimin e tij, se Ai është Dëgjues dhe i përgjigjet lutjeve. Amin”.[13]

 


[1]. Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 650.

[2]. Ismail Muçej, “Xhamia- vend edukimi shpirtëror”, gazeta “Drita islame”, Tiranë, Tetor 1995, viti i IV i botimit, nr. 19 (80): 3.

[3]. Muhammed Shukri el- Ustuvani (1869-1955), e trashëgoi dijen dhe mirësinë nga babai i tij, që ishte hatib i xhamisë së madhe “El- Emevi”. U emërua mësues në shkollën e quajtur “Medreseja e re”. Më 1937 emërohet zëvendës i Myftiut të Shamit. Pas kësaj zgjidhet me konsensus Kryemyfti i Republikës Siriane, me dekret datë 13. Safer. 1360 (h), viti (1940). Vdiq në Damask, më 1955. (Shih: M. M. el- Hafidh & N. Ebadha, “Tarikhu ulemai Dimeshk fil- karnir- rabii asher el- hixhri”, vëll. 2, fq. 682- 683).

[4]. Muhammed Mutie el-Hafidh dhe Nizar Ebadha, “Enciklopedia e dijetarëve të Damaskut në shekullin e 14-të hixhri”, në gjuhën arabe, Damask, 1986, vëllimi II, fq. 700.

[5]. Në fund të kësaj broshure me 59 faqe, autori shkruan: “Unë jam i varfri, plot të meta e mangësi, shkodrani Haxhi Sulejmani i Hafiz Halil Gavoçit. E trajtoftë All-llahu me butësinë e Tij të fshehtë e të dukshme, për hatrin e Zotërisë së Enbijave dhe Murselinëve (s.a.). Amin!”- Shih: Shejkh Sulejman Halil Gavoçi el-Albani, “Nexhatul-mu’minine biademit-teshebbuhi bil-kafirin”, botim i shtypshkronjës “El-Hashimijje”, Damask, 1949: 59.

[6]. Murshid, është një fjalë arabe me prejardhje nga folja reshede/ reshide, jershudu/ jershedu, rushden/ reshden/ reshaden, rashidun/ reshidun: personi u udhëzua, Shih: “El-Mu’xhemul-arabijjul-esasi”, grup autorësh, prej gjuhëtarëve më të mëdhenj arabë, të ngarkuar nga Organizata Arabe për Edukim Kulturë dhe Shkencë, Tunizi, 1988: 524.

[7]. Prej emrave të Kur’anit Famëlartë.

[8]. Prej kërkimeve të bëra rezulton se nga Hafiz Jusuf Këlmendi, H. Sulejman Gavoçi ka marrë edhe ixhazet të shkruar.

[9]. Kjo shprehje (i mjerë) dhe shumë të tjera të ngjashme me të, si: i varfëri, i dobëti, i mangëti, shërbëtori, i pakëti, etj., janë thuajse traditë prezente në librat dhe shënimet e shumta të dijetarëve islamë të shekullit të kaluar. Kjo traditë, në përmasa më të vogla, ekziston edhe sot.

[10]. H. Sulejman Gavoçi, “Shpëtimi i besimtarëve në mos përngjasimin me jobesimtarët”, në gjuhën arabe, Damask, 1949: 3-4.

[11]. Nga ixhazeti origjinal i H. Sulejman Gavoçit, nga mësuesi i tij H. Jusuf Këlmendi.

[12]. Muhamed Sytari: “Vehbi Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymetit”, Prishtinë, 2005: 139.

[13]. Shih: Ibrahim ibn Muhammed ibn Ibrahim el-Halebi, “Multekal-Ebhur” me studim dhe verifikim të Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçit, fq. 6.