medresistet fitues - DI (1)

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça dhe Drejtori i Medias në KMSH z. Agron Hoxha, pritën në një takim tre medresistët e Kavajës, të cilët, dolën më të mirët në konkursin mbi revistën Drita Islame.

Nxënësit e Medresesë së Kavajës shoqëroheshin nga drejtori i kësaj shkolle z. Mustafa Hatipoglu, i cili vlerësoi mjaft njohurit e këtyre nxënësve. Ai u shpreh se ata janë ndër më të mirët e shkollës jo vetëm në lëndët fetare, por edhe në të tjerat.

Ndërsa kryetari i Komunitetit Mysliman z. Muça i falënderoi ata për vizitën dhe shprehu mbështetjen e plotë të KMSH në lidhje me arsimin dhe medresetë shqiptare. “Arsimi dhe dija janë çelësi i suksesit në jetë dhe kudo, prandaj më pranoni një këshillë, shfrytëzojeni kohën në maksimum në favor të përfitimit të njohurive, pasi këto vite, mosha në të cilën jeni ju, është mosha ku njeriu nxë më shumë, dhe këto vite nuk kanë për t’u kthyer më. Kështu që shfrytëzojeni në dobi tuajën, në mënyrë që nesër të mos ju mbeget peng”, tha z. Muça.

Më pas Kryetari i KMSH, u ka bërë edhe nga një dhuratë simbolike tre nxënësve fitues, ndërsa Drejtori i Medias z. Hoxha i ka njohur ata me institucionin dhe strukturat e Komunitetit Mysliman.

Tre nxënësit Shkëlzen Subashi, Armir Jangulli, Astrit Tola, kanë dalë fitues nga konkursi mbi revistën “Drita Islame”, të organizuar nga Medreseja e Kavajës. Konkurse të tilla do të organizohen edhe në medresetë e tjera të vendit.

28 Tetor 2013

/Drita Islame/

medresistet fitues - DI (2)medresistet fitues - DI (3)medresistet fitues - DI (4)medresistet fitues - DI (5)