Hafiz Ibrahim Dalliu, me shkrimet e tij, u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur. Të flasësh për HafizDalliun nuk është asnjëherë e tepërt, porse për të njohur më mirë këtë figurë madhore islame, këtë luftëtar trim, këtë poet gojëmjaltë të vargut shqip, gjithsecili në mënyrën e vet do të arrijë vetëm duke njohur shkrimet e këtij mësuesi të shquar.

Libri “E lemja e të madhit Pejgamber dhe jeta e atij alejhis selam”, një poemë në 6143 vargje, është një nga veprat kryesore të Dalliut, e cila rivjen për herë të parë pas botimit të vitit 1934.

Ky botim, në të cilin, nëpërmjet vargjeve, autori përshkruan jetën e Profetit Muhamed (a.s.), vjen i njëjtë me origjinalin, duke ruajtur jo vetëm gjuhën por edhe origjinalitetin.

Urojmë që ky libër t’u shërbejë studiuesve dhe të nxisë penat e reja për të shkruar në këtë fushë, por gjithashtu edhe të rrisë dashurinë ndaj Profetit tonë të dashur.