Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Bedër”, zhvilluan sot ceremoninë e lançimit të Institutit të Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi”.
Në këtë ceremoni, e cila u hap me leximin e disa ajeteve Kuranore nga Hafizi Enes Hyka, ishin të pranishëm: Kryetari i KMSh-së, H. Bujar Spahiu, Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, nënkryetari, z. Taulant Bica, myftinj, imamë, pedagogë dhe studentë.
“Ky Institut është projektuar dhe ideuar që të shërbejë në fusha të ndyshme si, studime dhe hulumtime rreth çështjeve të ndryshme teologjike, përkthime, botime, panele akademike, seminare, konferenca dhe trajnime profesionale fetare.
Sot, falë vizionit të Kryetarit dhe ekipit të tij të përbërë nga Kryesia në qendër dhe Myftinjëve në të gjithë Republikën e Shqipërisë por dhe falë dëshirës, vullnetit, sakrificës dhe dashurisë për fenë e Zotit dhe misionin e Muhammed Mustafasë a.s, nga ju, studentët e parë, flamurtarë të këtij misioni, me lejen e Allahut po nisim një nga punët më të hajrit për të ardhmen fetare të vendit tonë.”- u shpreh nënkryetari Bica në fjalën e hapjes së aktivitetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Spahiu, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në rëndësinë e themelimit të një instituti të tillë në përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit fetar në vendin tonë.
“Fakti që jemi mbledhur sot në nisjen e punës së këtij instituti islam, tregon rëndësinë e kërkimit të dijes, kolaudimit të saj, dhe më pas përhapja e kësaj dije te të tjerët, është në sintoni të plotë në fakt, me një porosi të urtë, “Kërkojeni diturinë nga djepi në varr”. Është detyrë e jona që të mobilizojmë të gjitha kapacitetet tona teologjike, për t’iu përgjigjur pasionit të vullnetmirëve dhe rrjedhimisht kjo çon padiskutim edhe në plotësimin e nevojave tona për kuadro fetarë dhe rritje të cilësisë së shërbimit fetar.”- u shpreh z. Spahiu gjatë fjalës së tij.
Ndërsa Rektori i “Bedër”, Prof. Gjana, përshëndeti takimin, i uroi suksese institutit dhe shprehu mbështetjen e plotë të institucionit që ai përfaqëson në këtë iniciativë.
Ceremonia vijoi më tëj me firmosjen e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy titullarëve të lartëpërmendur, Kryetarit Spahiu dhe Rektorit Gjana.
Ky memorandum bashkëpunimi ndërmjet KMSh-së dhe Bedër përfshin zhvillimin e mësimit dhe çertifikimin e studentëve që do dalin nga ky institut.
Pas firmosjes së memorandumit, aktiviteti vijoi më tej me referime në fushën e fikhut, akaidit, sijerit, Kuranit dhe moralit Islam nga z. redin Quku, Myfti i Durrësit, z. Islam Hoxha, Myfti i Kukësit njëherazi edhe Kryetar i KP, z. Besnik Leçini, Myfti i Kavajës, z. Muis Kurtulla, Myfti i Dibrës, z. Elton Karaj, imam i xhamisë “Et’hem Beu”, z. Baftjar Këllezi, Myfti i Beratit etj.
Themelimi i Institutit të Studime Islame është vazhdimësi e institucioneve arsimore dhe fetare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Janë regjistruar dhe do të ndjekin studimet në këtë Institut 33 studentë nga Tirana dhe rrethet të tjera të vendit.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron atyre shumë suksese!