Besimtarët myslimanë në mbarë vendin tonë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm kremtimin e Festës së Kurban Bajramit, një ndër ditët më të rëndësishme të kalendarit islam.

Ceremonia qendrore e faljes së bajramit u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku u mblodhën mijëra besimtarë, ndërkohë që e njëjta situatë u paraqit në të gjitha qytetet e vendit, ku besimtarët mbushën sheshet dhe xhamitë kryesore për të kryer ritualin e faljes.

Programi i Kurban Bajramit nisi me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka, duke i dhënë një atmosferë të thellë shpirtërore këtij momenti të veçantë.

Më pas, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mbajti fjalën përshëndetëse, ku uroi besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, për Festën e Kurban Bajramit, duke theksuar vlerat e solidaritetit, sakrificës dhe mëshirës që përcjell kjo ditë e begatë.

“Simbolika e kësaj feste na mëson se besimi nuk është vetëm fjalë, por vepër; nuk është vetëm ritual, por angazhim i sinqertë për të qenë më të drejtë, më të ndershëm dhe më të mëshirshëm. Andaj, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i ftoj të gjithë shqiptarët, nga çdo shtresë dhe çdo bindje, që këtë festë ta jetojmë me dashuri dhe përgjegjësi. Të shohim njëri-tjetrin me sy njerëzor, të ndihmojmë, të falim dhe të bashkëpunojmë për një shoqëri më të drejtë, më të begatë dhe më të bashkuar,” – tha ai.

Më tej, ai bëri thirrje për më shumë reflektim mbi vlerat hyjnore në çdo punë apo përgjegjësi, publike apo private qoftë ajo.

“Kurban Bajrami është një ftesë kah e mira, e moralshmja, e virtytshmja për të gjithë, pa dallim: për punëtorin dhe fermerin që me djersën e ballit mbajnë familjet e tyre; për nënat dhe gjyshet që rrisin brezat me durim dhe besim; për të rinjtë që kërkojnë vendin e tyre në shoqëri; për mësuesit që mbjellin dituri dhe vlera; për mjekët që i shërbejnë jetës; për sipërmarrësit; për intelektualët dhe drejtuesit që ndikojnë në mendimin dhe zhvillimin e shoqërisë.” – u shpreh Kryetari Spahiu në fjalën e tij.

Ceremonia u zhvillua më tej me ligjëratën e Nënkryetarit të KMSH-së, z. Taulant Bica, i cili solli në vëmendje domethënien shpirtërore të kësaj feste dhe e lidhi kuptimin e Kurbanit me përpjekjen për t’u afruar me Allahun Fuqiplotë dhe për të ruajtur vlerat e pastra të besimit.

“Është vërtet e pakontestueshme se Allahu nuk ka nevojë për adhurimin tonë, as për mishin apo gjakun e Kurbanit. Ai është i Vetëmjaftueshëm dhe i Plotfuqishëm. Por ne, në dobësinë tonë, kemi nevojë për mëshirën dhe afërsinë e Tij. Ndaj, akti i flijimit është për ta pastruar veten tonë nga egoizmi, për ta forcuar lidhjen me Krijuesin dhe për të dëshmuar gatishmërinë tonë për të sakrifikuar nga ajo që duam, për të fituar kënaqësinë e Allahut. Prandaj, le të përpiqemi me gjithë zemër që në këto ditë të bekuara të Bajramit, ta kryejmë këtë adhurim madhor. Le të presim kurban me sinqeritet dhe përkushtim,” – theksoi Nënkryetari Bica.

Programi kulmoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, ku mijëra besimtarëve të mbledhur në bulevard u priu Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.

Fill pas faljes së namazit, imami i xhamisë “Et’hem Bej”, z. Elton Karaj, mbajti hutben e Bajramit, hutbe në të cilën trajtoi disa aspekte sociale të kësaj feste.

“Kjo ditë është thirrje për t’u afruar me njëri-tjetrin, për të falur, për të ndarë gëzimin me familjen, me të afërmit, me fqinjët dhe me ata që ndoshta nuk kanë asgjë në sofrën e tyre sot. Është dita që për hatër të Allahut të lëmë mënjanë zemërimet, armiqësitë dhe hatërmbetjet. Sepse bajrami ka kuptim, kur shpirti i tij depërton në shpirtin tonë, zbut zemrën dhe e kthen butësinë në veprim.” – tha ndër të tjera z. Karaj.

Në përfundim të programit, besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta të kësaj dite të mbushur me paqe, dashuri, solidaritet dhe sakrificë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë: Gëzuar Kurban Bajramin!

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë