Shumë myslimanë, në ditët e sotme, shpesh bëhen konfuzë nga paraqitja e ndryshimeve në mënyrën se si falen myslimanët e tjerë. Myslimanët e rinj, që nuk janë të vetëdijshëm për faktin se ekzistojnë katër shkolla tradicionale të jurisprudencës islame, janë veçanërisht të hutuar se pse dikush prej vëllezërve myslimanë të thotë “amin” në heshtje pas recitimit të sures “Fatiha”, ndërsa një tjetër, tre rreshta më tutje, thotë “amin” me zë të lartë. Një besimtar mund të pyesë veten se pse disa myslimanë i ngrenë duart para se të shkojnë në ruku dhe pse disa të tjerë i lëshojnë krahët dhe duart e tyre anash?

Pa marrë parasysh se cilën metodë ndjek një person në namazin e tij, vëzhgimi i këtyre dallimeve mund të rezultojë mjaft konfuz për dikë që nuk është i informuar për mënyrat e ndryshme të namazit. Ky konfuzion, nëse rritet ose zgjatet, mund të bëjë një person që të fillojë të kritikojë të gjitha mënyrat e namazit, për të mos përmendur mënyrën e namazit të tij/saj. Për të shtuar këtë konfuzion, ka disa njerëz, të cilët, padrejtësisht dhe pa autorizim, sillen vërdallë duke iu thënë besimtarëve të tjerë se mënyra e tyre e namazit është e gabuar dhe se i Dërguari i Allahut kurrë nuk është falur në këtë mënyrë. Ata gjithashtu dënojnë rregullisht të gjithë ata që ndjekin një mendim tjetër nga ai i tyre.

Ky libër, edhe pse thekson disa nga dallimet e mendimit mes shkollave të ndryshme në lidhje me aspekte të caktuara të namazit, përqendrohet kryesisht në paraqitjen e mendimeve të njohura të medh’hebithanefi rreth atyre çështjeve.

Pjesa e parë e këtij libri synon të sqarojë disa aspekte të taklidit, që janë keqkuptuar dhe shtrembëruar rëndë, duke hedhur dritë mbi domosdoshmërinë, historinë dhe rolin e tij në botën e sotme.

Ndërkaq, pjesa e dytë përfshin disa kapituj, që shqyrtojnë disa çështje të namazit sipas shkollës juridike hanefi. Nëpërmjet shembujve ilustrues dhe diskutimeve të hollësishme, kapitujt rreth namazit demonstrojnë mjaftueshëm filozofinë e sofistikuar ligjore të ndërmarrë nga shkolla juridike hanefi (dhe, për hir të së vërtetës, nga të gjitha medh’hebet) në përftimin e vendimeve të tyre ligjore nga tekstet burimore të Islamit.

Të gjitha vendimet janë mbështetur në argumente dëshmuese nga Kur’ani dhe Hadithi. Autori jep një prezantim të paanshëm të argumenteve në të gjithë librin. Ai nuk ka për qëllim as të fyejë dikë dhe as të përjetësojë mosmarrëveshjet dhe polemikat, por të deklarojë faktet në një stil të kthjellët dhe racional, me qëllim për t’i tërhequr vëmendjen kuptimit dhe arsyes së lexuesit.