
Në kuadër të muajit të lindjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ, ditën e sotme, para namazit të xhumasë, në Xhaminë “Et’hem Bej” u zhvillua një program fetar kushtuar jetës dhe veprës së Profetit Muhamed ﷺ.
Në këtë program, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, nënkryetarët e institucionit, z. Lauren Luli, z. Taulant Bica, imami i xhamisë, z. Elton Karaj, si dhe besimtarë të shumtë të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Spahiu theksoi shembullin e Profetit Muhamed ﷺ si modelin më të mirë për njerëzimin, për paqen, mirësinë dhe për mënyrën se si duhet t’i drejtohemi Allahut (xh.sh) në adhurimet tona.
“Profeti Muhamed ﷺ përfaqëson udhërrëfyesin më të plotë për jetën e njeriut, duke bashkuar në personalitetin e tij urtësinë, mëshirën dhe përkushtimin ndaj Krijuesit. Ai na mëson si të ndërtojmë marrëdhënie të drejta me njerëzit dhe si të gjejmë qetësi në lidhjen tonë me Allahun, duke e bërë jetën një rrugëtim të mbushur me dobi, paqe dhe shpresë.” – tha kryetari Spahiu.
Ndërsa imami i xhamisë, z. Elton Karaj, ndau me të pranishmit rrëfimin e el-Utbijit për beduinin pranë varrit të Profetit ﷺ, ku ky i fundit gjen faljen e Allahut Fuqiplotë. Ai theksoi mesazhin e madh që përcjell kjo ngjarje – gjynahqarët që i kthehen Allahut (xh.sh) me pendim të sinqertë dhe që kërkojnë ndërmjetësimin e të Dërguarit ﷺ, e gjejnë gjithmonë të hapur portën e mëshirës.
Gjatë këtij programi u lexua gjithashtu Kuran nga hafizi Enes Hyka, pjesë nga Mevludi Sherif si dhe u mbyll me duanë e imamit të xhamisë.
Më tej, nënkryetari Bica mbajti hutbën e xhumasë, në të cilën trajtoi shkurtimisht etapat kryesore të jetës së Profetit ﷺ, ndryshimet që ai solli në shoqërinë e asaj kohe dhe mësimet që duhet të nxjerrim ne sot.
“Ai erdhi për të na mësuar besimin, mëshirën, drejtësinë dhe adhurimin e sinqertë ndaj Allahut (xh.sh), duke na lënë shembull të përjetshëm për t’u ndjekur. Përkujtesa e lindjes së tij është një thirrje për të jetuar sipas vlerave të tij dhe për të përhapur paqen dhe dashurinë në çdo hap të jetës sonë.” – u shpreh ai.
Pas përfundimit të hutbës, besimtarët u prinë në namazin e xhumasë nga nënkryetari Luli.











