
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim kortezie ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, z. Gabriel Cremades Ventura.
Në fillim të takimit, Kryetari Spahiu i uroi mirëseardhjen ambasadorit dhe e njohu atë me organizimin dhe funksionimin e institucionit që ai drejton, si dhe me rolin e rëndësishëm që KMSH ka në jetën fetare, sociale dhe kulturore të vendit si dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e harmonisë ndërfetare.
Nga ana e tij, ambasadori spanjoll shprehu vlerësimin për kontributin konstruktiv që KMSH ka dhënë ndër vite në forcimin e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke parë edhe rolin e komuniteteve fetare në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.
Takimi vijoi në formën e një bashkëbisedimi të hapur mbi zhvillimet aktuale fetare dhe sociale, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha me interes të ndërsjellë.





