
Ditën e sotme, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë e vizitoi Ambasadori i Republikës së Maltës në vendin tonë, z. Anthony Licari, i cili u prit nga Kryetari i institucionit, H. Bujar Spahiu.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadori Licari shoqërohej nga Konsulli i Nderit i Maltës në Tiranë, z. Tom Preku.
Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu ju uroi mirëseardhjen dhe i njohu ata shkurtimisht me organizimin dhe funksionimin institucional të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ai theksoi angazhimin e pandërprerë të institucionit në ruajtjen dhe promovimin e vlerave fetare dhe atyre sociale në shërbim të shoqërisë shqiptare.
Nga ana e tij, Ambasadori Licari shprehu vlerësimin e tij për rolin konstruktiv që ky institucion ka luajtur në nxitjen e dialogut ndërfetar dhe forcimin e bashkëjetesës ndër vite.
Gjatë bashkëbisedimit, Ambasadori e ftoi Kryetarin Spahiu për një vizitë në Maltë, së bashku me drejtuesit e komuniteteve të tjera fetare të Shqipërisë, me qëllim promovimin e vlerave të lartpërmendura edhe në vendin e tij.
Takimi vijoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të hapur, me fokus tek zhvillimet aktuale fetare dhe sociale të të dy vendeve.



