
Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi sot në ambientet e Medresesë së Tiranës, mbledhjen e parë për vitin 2025.
Mbledhja u çel me leximin e disa ajeteve kuranore nga Drejtori i Arsimit në KMSH dhe njëherazi imami i xhamisë “Et’hem Bej” në Tiranë, z. Elton Karaj, për të vijuar me fjalën hapëse të Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Islam Hoxha.
Më tej, fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë anëtarët e pranishëm, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në mbarëvajtjen e veprimtarisë institucionale. Ai prezantoi një përmbledhje gjithëpërfshirëse të aktiviteteve më të rëndësishme të Komunitetit Mysliman që nga mbledhja e fundit, duke evidentuar arritjet më të spikatura, projektet e realizuara, si dhe sfidat me të cilat është përballur institucioni në përmbushjen e misionit të tij fetar, arsimor dhe shoqëror.
Mbledhja vijoi me prezantimin e raportit të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, nga z. Islam Hoxha, i cili këtë herë u ndal në ecurinë e aktiviteteve fetare dhe administrative të Myftinisë Pogradec, duke ofruar një pasqyrë të qartë dhe të strukturuar mbi punën e kryer gjatë periudhës në shqyrtim.
Në vijim të mbledhjes, Kancelari i institucionit, z. Fejzi Shaholli, prezantoi një raport të hollësishëm mbi veprimtaritë e Kryetarit Spahiu, aktivitetin e drejtorive dhe vendimet e Kryesisë të ndërmarra që nga mbledhja e fundit.
Një nga pikat kryesore të kësaj mbledhjeje ishte prezantimi i platformës më të re online i projekteve ( http://projekte.kmsh.al/ )nga Drejtori i Drejtorisë së Vakf-Investimeve, z. Erlis Mosha. Në fjalën e tij, z. Mosha bëri një paraqitje të detajuar të kësaj platforme inovative, e cila mundëson akses të hapur për publikun, duke i lejuar qytetarët dhe donatorët të informohen në kohë reale mbi ecurinë e projekteve në zhvillim, si dhe të kontribuojnë financiarisht në mënyrë të drejtpërdrejtë për realizimin e tyre.
Në përmbyllje të mbledhjes, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm zhvilluan një sesion diskutimesh të hapura e konstruktive, ku u trajtuan një sërë çështjesh të ndryshme.







